Ishte paralajmëruar nga Kryesia e Kuvendit se sot do të mbahej seanca e jashtëzakonshme, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, por partitë opozitare, VV e PDK, nuk morën pjesë në punime, duke e zvarritur një temë shumë të ndjeshme për ekonominë dhe të punësuarit në sektorin privat në Kosovë.
Me këtë rast kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, informoi se në mungesë të kuorumit shtyhet mbledhja e jashtëzakonshme për sitën e sotme.
Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin vetëm deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se deputetët e opozitës pamundësuan miratimin në lexim të dytë të Projektligjit.
“Opozita e pamundësoi që Kuvendi i Kosovës të merret me problemet ekonomike me të cilat po përballet shoqëria kosovare duke qenë e papërgjegjshme në veprimet e saj. Ne u kemi dhënë mundësinë që ata të bëjnë propozime në Komisione, që Projektligji të ndryshohet sipas këndvështrimeve që i kanë ata. Nuk kanë bërë propozime, nuk kanë paraqitur qëndrime, në këtë mënyrë po pamundësojnë që të kalojë Ligji që qytetarët e Kosovës t’i tërheqin mjetet e tyre dhe ekonomia e Kosovës të marrë frymë”, tha Gashi.
Më herët, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme. Këtë hap e ndërmerr pasi që ish-drejtuesit e PDK-së janë në paraburgim në Hagë dhe si thonë ata këtë po e bëjnë për sensibilizimin e opinionit.
“Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodh, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.