in

Odise Çaçi: Kush po paguan për denigrimin e historisë Kombëtare?

Hidhet baltë mbi Skënderbeun kur për të janë thurrur mijëra vargje si mbrojtës i krishtërimit

Nga kush paguhen dhe përse po denigrohet Historia jonë Kombëtare ?

-Pasi festuam dhe 108- vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, na dalka prap një ide që, Ismail Qemali nuk krijoi dot shtet

– Na dalin disa pseudo “gjuhëtarë”, që thonë se gjuha shqipe, rrjedh nga rumanishtja

Doc. Odise Çaçi

Kohët e fundit në debatet televizive dhe në shtypin e shkruar po hidhet baltë edhe për atë periudhë edhe për ato personalitete, që kanë derdhur mund e djersë për këtë vend të martirizuar.

E ndjej për detyrë në radhë të parë si qytetar dhe së dyti si historian, të shfaq ndonjë mendim për problemet që diskutohen aktualisht, në media dhe në shtypin e shkruar.

Të shkruash për historinë tonë kombëtare shqiptare është një obligim i madh qytetar. Të pasqyrosh me vërtetësi dhe me argument shkencor, është prapë një detyrim moral. Por të ulesh dhe të përpëlitësh kujtesën tënde, për atë që nuk e vërteton dot, është një marrëzi.

Eshtë katërcipërisht e vërtetë që gjenia krijuese e popullit shqiptar i ka dhënë njerëzimit dhjetra perandorë: Perandorisë Romake, dhjetra vezirë e Pashallarë Perandorisë Osmane, si dhe shumë personalitete si Lindjes dhe Perëndimit, duke filluar nga Rumania, Bullgaria, Rusia, Greqia, SHBA dhe deri në Argjentinë. Shqiptarët vendosën barazi kur sundonin Jeruzalemin, dhe u pritën si çlirimtarë.

I ka dhënë shkencës e teknikës botërore personalitete në fushën e shkencës dhe në atë ushtarake. I ka dhënë Vatikanit Papë dhe Sekretarë që kanë shërbyer me devotshmëri. Kjo nuk është mburrje, por një vitalitet i një kombi tepër enegjik e kurajoz. Por ka dhe anën tjetër të medaljes, që historia jonë kombëtare është denigruar, jo vetëm nga shovenë të tipit Garashanin, Koleti, Çubrilloviçi, Selishev etj., mostra, që me “teoritë” e tyre kanë kërkuar shfarrosjen e popullit shqiptar, por edhe disa nga njerëzit tanë, deri në atë masë, sa dhe ata që përmënda, nuk do kishin kaq guxim ta bënin një gjë të tillë me historinë tonë kombëtare.

“Sajesa, argument, teza e hipoteza” që gjoja “ vërtetojnë mendimet e tyre shkencore”.

Së pari, të hedhësh tezën sot se, shqiptarët kanë ardhur në shekullin e IX-të, se nuk janë pasues të Ilirëve, dhe ilirët pasues të pellazgëve, është njësoj sikur trupit t`i heqësh palcën e shtyllës kurrizore. Kjo më kujton Çajupin e madh tek fejtoni: “Klubi i Selenikut” ku shprehet: | “Po pse nuk fole një fjalë për Shqipërinë, o beu ynë?”

Ne dimë se shumë djem e vajza shqiptare me djersën e këtij populli studiuan në universitetet Perëndimore dhe Lindore, ku kanë shkëlqyer për dijet e tyre dhe për të sjellë diçka të re për këtë vend, që i lindi dhe i rriti dhe jo t’i thonë babait se kush ka lindur më parë…Dhe babai gjakftohtë i përgjigjet djalit të shkolluar: -“Djalo! E shikon atë bajgë te petavrat e tavanit – më thuaj si ka hipur lopa deri aty? Dhe djali ende vazhdon të vrasë mendjen….

Jam i detyruar si shumë të tjerë t`u kujtojmë këtyre “sfidantëve”,“studiues”, se arkeologjia shqiptare, që nga fillimi i viteve ‘20 të shekullit të XX-të, arkeologjia shqiptare ka studiuar dy periudha : a) -atë të vonë antike; b) -mesjetën e hershme.

Materialet arkeologjike të gjetura, vërtetojnë vazhdimësinë nga antikiteti në mesjetë, nuk kemi ndryshime të popullsisë autoktone, por del me një emer të ri (Arbër-shqiptarë). Historianë të shumtë, albanologë me emër, u janë drejtuar burimeve indirekte historike e deduksioneve logjike.

Mendimi gjuhësor mbizotërues është se gjuha shqipe është vazhduese e denjë e ilirishtes, bijë e gjuhës ilire ose e njërës prej dialekteve të saj siç shprehet profesori i mirënjohur Eqerem Çabej. Androkli Kostallari thekson “vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe autoktoninë e shqiptarëve në trevat e tyre”(Konferencë shkencore, 2-4 korrik 1982, Tiranë). Mahir Domi, profesor, gjuhëtar, mbron tezën mbi “origjinën ilire të popullit shqiptar”; Shaban Demiraj, “Gjuha shqipe si një degë më vete në familjen e gjuhëve indoeuropiane”, Leonidha Ndrenika, gjuhëtar shqiptar që hulumtoi në Vatikan 60 burime historike, filologjike, e letrare në biblotekën e Vatikanit e në Itali, botoi më 1936 në Shkodër,  “Pellazgët dhe gjuha e tyre”; filozofi Lajbnic deklaroi: “shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë”; Hans Erik Tunman, historian suedez, se “shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u romanizuan, e as u asimiluan nga dyndjet e mëvonshme”.

Johan Georg Fon Han, “Ilirishtja rridhte nga Pellazgjishtja”; Franc Bop, gjuhëtar në Universitetin e Berlinit: “një ngjashmëri midis sankrishtes dhe shqipes në gramatikë.”; Dhimitër Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, “vërteton me dokumente lashtësinë e gjuhës shqipe …ishte ndër më të vjetrat e të gjithë popujve të Europës.”; Gustav Majer, profesor austriak se “gjuha shqipe rridhte nga ilirishtja”; Eduart Shnajder, studiues francez shkruan se: “gjuha shqipe paraqitet si tingëllimi më i pastër e më besnik i gjuhës pellazge”; Holger Pedersen,gjuhëtar danez se, “gjuha shqipe rridhte nga pararendësit e saj indoeuropianë e ilirë”;

Jensen , “pranoi mundësinë e prejardhjes së shqipes nga Ilirishtja”. Norbert Jorkli, gjuhëtar austriak, por me origjinë gjermano-hebreje, “Gjuhën shqipe ai e përcaktoi si gjuhë indoeuropiane”; Maksimiljan Lamberc, “Mbështeti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët dhe të gjuhës shqipe nga ilirishtja”; Zef Skiroi, filolog italian me origjinë arbëreshe ku ”Skiroi, Jorkli dhe danezi Pedersen janë konsideruar si tri albanologë më të shquar”(Drizari, 1947); Jeronim De Rada pohoi “origjinën e shqipes si një gjuhë indoeuropiane me prejardhje nga pellzagjishtja përmes ilirishtes”;Vaso Pasha “se perënditë e lashta greke ishin huazuar nga stërgjyshërit pellazgë të shqiptarëve dhe tregoi se emrat e tyre nuk rridhnin nga greqishtja, por nga shqipja”; Kostandin Çekrezi dhe Kristo Dako kanë të njëjtin mendim si Vaso Pasha;

Jozef Suajer, anglez se,: “Raca shqiptare e ka prejardhjen nga emigrantët e hershëm arianë dhe gjatë kohës historike është përfaqësuar nga trako-ilirët dhe epirotët ose pellazgët, të cilët dikur patën populluar të gjithë Gadishullin e Ballkanit, që nga Danubi deri në Detin Egje …Shkrimtarët grekë i cilësonin epirotët si jo helenë. Dhe se banorët e Maqedonisë, Ilirisë dhe Epirit flisnin gjuhë të njëjtë dhe kishin zakone të ngjashme”(Suajer,1929, f.4)

Ka sot studiues të rinj si akademiku Arief Matheu, me banim në Paris, vërteton me argumente bindëse se, “Pellazgët janë paraardhësit e Ilirëve dhe ilirët janë vazhdues të saj, ndërsa shqiptarët vazhdues të ilirëve në trojet e tyre, në Ballkanin Perëndimor”. Këto teza i mbështesin sot dhe gjuhëtarë e studiues të rinj si Agron Dalipaj, Luftulla Peza etj, të cilët me studimet e mirëfillta shkencore japin argument për lashtësinë e gjuhës së hyjnishme shqipe.

Faktet arkeologjike hedhin dritë se ilirët kanë mbijetuar edhe pas pushtimeve romake, por nuk u romanizuan, por ruajtën me fanatizëm gjuhën e traditat tona. Në antikitetin e vonë, Ilirët e Jugut përbënin një popullsi vitale të qëndrueshme, e cila kishte banuar në vazhdimësi truallin e vetë dhe ku gjatë pushtimit romak, kishin depërtuar dhe elementë kulturorë të karakterit provincial, që ishin përvetësuar nga popullsia autoktone si psh,: veglat e punës, stolitë etj…Duhet theksuar se Ilirët e Antikitetit të vonë në katër provincat e Ilirisë, si Prevali, Dardania, Epiri i ri dhe Epiri i vjetër, ku sipas prof.dr. Skënder Anamali: “Përballojnë invazionet avaro-sllave.”

Në viset e Ilirisë së Jugut nuk kemi asnjë dëshmi që vjen nga burimet e shkruara etj., për vendosjen në masë të sllavëve, nuk përjashtohet mundësia që dyndjet sllave të ketë pasur në Ilirinë e Jugut, por ato kanë qenë kalimtare. Për vazhdimësinë ilire në mesjetën e hershme arkeologjia shqiptare ka sot në dorë një material të pasur nga gjetjet e Kulturës së Komanit.

Gjuha shqipe është gjuhë e folur jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe më gjerë. Sipas profesorit francez R.Anzhely “Ajo flitet nga Azia e Vogël deri në Gjibraltar”(Enigma).Ajo është gjuhë indoevropiane dhe vazhduesja e ilirishtes. Dhe sot shumica e e gjuhëtarëve dhe albanologëve mbështesin origjinën ilire të gjuhës shqipe, ndërsa sot na dalin disa “gjuhëtarë”, që thonë se gjuha shqipe rrjedh nga rumanishtja. Nuk është çudi të dëgjojmë se rrjedh nga sllavishtja. Në ditët e sotme, disa pseudo gjuhëtarë, kanë hedhur idenë që gjuha shqipe nuk është folur në bregdet, por në thellësi të Shqipërisë, kjo na la hapësira të tilla bosh që tre luftrat iliro – romake i paskan bërë romakët mes tyre dhe jo me ilirët. Historiani Skymi, në shek.III-II p.l.k., thekson: “Iliria një tokë e gjatë me shumë popuj brenda, nga këta popuj, disa banojnë në viset e brendshme, duke lëruar tokën, disa të tjerë, anës detit Adriatik.”

Ndërsa Straboni në shek.I p.l.k. shkruan: “bregu i Ilirisë është plot me ullishta dhe vreshta të mira…Mos vallë të gjitha këto janë mbjellë nga jashtëtokësorët dhe jo nga këta banorë autoktonë në mijëvjeçarë.? Se Kerkyrën e pushtuan ilirët në vitin 229 p.l.k. me Teutën, dhe la si mëkëmbës Dhimitër Farin. As edhe këtu nuk banonin në bregdet, mos vallë epirotët e e Finiqit e Kaonët nuk flisnin shqip, që grekët e lashtë i quanin “barbarë”? Shembuj ka plot, po të jesh i predispozuar të shpalosësh atë të vërtetë historike. Edhe Gjergj Kastriot Skënderbeun këta pseudo akademikë e nxjerrin vasal të Alfonsit të V-të të Napolit, të Papës së Romës. Dhe për ta vërtetuar na nxjerrin nga sunduku i shtëpisë dokumenta pa vulë e firmë, gjoja nga Arkivat e Aragonës dhe harrojnë se Skënderbeu luftoi për 25 vjet me Perandorinë më të madhe të kohës, perandorinë Osmane duke mbrojtur jo vetëm Shqipërinë, por dhe qytetërimin evropian. Të pranosh që Skënderbeu ishte vasal ose mercenar, më shqip do të thotë të denigrosh një figurë që është kthyer në legjendë për shqiptarët dhe për Evropën, ku atij i kanë thurrur mijëra vargje si mbrojtës i Shqipërisë, krishtërimit dhe qytetërimit evropian. Ai është konsideruar Princ, Mbret nga personalitete evropiane të kohës. Bustet e tij janë vendosur në dhjetra kryeqytete të botës perëndimore, nga Argjentina, SHBA, Filipine dhe në Evropë. Dhe sot pas 616 vjet nga lindja e tij, na dalkan “ca shqiptarë”, “patriotë”, “studiues”, të cilët e zbresin nga Kali, i heqin shpatën, përkrenaren …të shëtisë principatat shqiptare, që sipas këtyre mediokërve nuk kanë ekzistuar kurrë. Dhe këtyre sahanlëpirësve do t’u tingëllonin fjalët e Faik Konicës: “Shqipërinë e prishën shqiptarët”. Jo, zoti Faik Konica, se Shqipërisë imazhin nëpër botë po ja prishin mediokrit, sharlatanët, aventurierët, karrieristët, antishqiptarët, që gjoja për të sjellë diçka të re nën maskën e evropianizimit të Shqipërisë, po i mohojnë atyre, që shkrinë jetën për Shqipërinë.

O Tempora, O mores!

Pasi festuam dhe 108- vjetorin e Pavarësisë Kombëtare na dalka prap një ide që, Ismail Qemali nuk krijoi dot shtet! O Zot, çfarë po na dëgjojnë veshët! Është njëlloj të thuash se, Dielli ka lindur për herë të parë në vitin 2020.

Ismail Qemali, Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë Natyrale, 28 nëntor 1912. Ai ngelet një figurë poliedrike, siç shprehet historiani Viron Koka, “kaloi në labirinthet e kohës, duke projektuar e krijuar shtetin e pavarur shqiptar”. Të mohosh meritat e këtij burri shteti, këtij diplomati me përmasa evropiane, për krijimin e shtetit shqiptar, është sikur të thuash se Shqipëria është akoma nën perandorinë Osmane. Ja disa fakte historike, që të gjithë i dinë, por bëjnë sikur nuk kanë qenë kurrë:

-I.Qemali më 4 dhjetor 1912 udhëhoqi Kuvendin shqiptar në Vlorë, që krijoi organet më të larta të Administratës Shtetërore, Qeverinë e Përkoshme dhe Pleqësinë. Këtu u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar, pas 500 vjetësh robërie osmane.A nuk ishte Ismail Qemali Kryetar i Qeverisë së parë Shqiptare të pavarur dhe At Nikoll Kaçorri nënkryetar, ndërsa Pleqësia me kryetar Vehbi Dibrën, që ishte një organ Këshillues dhe Kontrollues i Qeverisë. Qeveria e Vlorës hartoi “Kanunin e përshtatshëm të Administratës Civile” dhe “Kanunin e Jurisë”. Kjo bëri një ndarje të re administrative të Shqipërisë. U krijua një forcë e vogël e armatosur me vullnetarë atdhetarë.

-Në fushën arsimore dhe kulturore u morën masa, ku gjuha shqipe u shpall gjuhë zyrtare.

-Në fushën ekonomike, krahas masave të tjera, ajo likuidoi Bankën Bujqësore Turke dhe filloi mbledhjen e të ardhurave fiskale.

U krijua Banka Kombëtare me kapital austro-italian. Ishte Ismail Qemali që dërgoi në Londër një delegacion të kryesuar nga çami Rasih Dino dhe më vonë e kryesoi vetë një delegacion të Nivelit të Lartë në Romë, Paris, Londër, së bashku me Isa Buletinin dhe Luigj Gurakuqin,(pranverë 1913), për të mbrojtur çështjen shqiptare në Kancelaritë Perëndimore.

A nuk mjaftojnë këto për të thënë që Ismail Qemali krijoi një shtet shqiptar të bazuar në përvojën shqiptare me orientim Perëndimor? Mjaft argumente të tjerë mund të sillen se gjuha shqipe është vazhduese e ilirishtes. Sipas dokumentave historikë, ilirishtja është gjuhë e pellazgjishtes dhe ilirët kanë qenë në këto troje ku ne banojmë që nga mijëvjeçari II p.l.k. që:

“Etnosi ilir nis gjatë bronxit të mesëm, formohet ne bronxin e vonë dhe merr lulëzim në epokën e hekurit”;

se Bregdeti Ilir i Jonit dhe Adriatikut ka qenë i populluar gjithë kohën, por me lëvizje dinamike nga bregdeti në thellësi dhe anasjelltas;

se Skënderbeu është simbol i bashkimit dhe unitetit mes shqiptarëve, është Hero Kombëtar dhe s`do ketë burrë që ta zbresë atë nga Piedestali i Historisë Kombëtare Shqiptare,

se sëbashku me burrin e urtë e të mençur Heroin e Popullit Ismail Qemali.

Sa mund të mohojë Roma Jul Çezarin, Maqedonia Aleksandrin e Madh, aq dhe Shqipëria Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Vlorë, më 12 Maj 2021

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

SHBA: Mbështetje për rindërtimin e Gazës dhe rihapje të konsullatës në Jeruzalem

Ministrja Gërvalla zhvillon takim virtual me homologen e saj norvegjeze Søreide