(E plotësuar) Bujar Hashani, drejtor i prodhimit në minierën “Trepça”, për emisionin “Info plus” në RTK, dha lajmin e mirë, se të gjithë minorët që ishin të bllokuar që nga mbrëmë në galeritë e minierës, tanimë janë nxjerrë nga miniera dhe gjendje shëndetësore e tyre është e mirë.
“Gjendja aktuale e minatorëve është e mirë, ata tani kanë dal nga miniera. Kemi arrit që me sukses t’i nxjerrim të gjithë minatorët, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Tani po punojmë në vënien në shërbim të stabilimenteve bartëse. 10 minatorë kanë dal vet shkallëve, një pjesë e minatorëve, atyre më të vjetër iu kemi thënë të presin dhe i kemi nxjerrë nga miniera” tha Hashani për RTK.
Ai shtoi se miniera është e vjetër dhe stabilimentet bartëse janë të vjetra. “Ne kemi kërkuar edhe më herët që këto stabilimente të ndërrohen dhe raste të tilla mos të përsëriten”, tha ai Hashani.
Rreth 50 minatorë kanë mbetur të ngujuar nga mbrëmë në horizontet 5, 8 dhe 11 me rreth 900 metra nën tokë. Shkak i ngujimit të tyre kanë qenë problemet me energji elektrike.
Katër minatorë nxirren nga miniera
(E plotësuar 16:01) Katër personat e parë që kishim mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës kanë dalur shëndosh e mirë.
Burime të RTK-së nga atje kanë njoftuar se kjo ka ndodhur sot para pak kohësh.
“Ka filluar nxjerrja e minatorëve nga miniera. Katër personat e parë kanë dalë nga miniera të cilët kane qenë të ngujuar nga dje”, ka njoftuar burimi .
50 minatorë që nga mbrëmë të ngujuar në minierë
Rreth 50 minatorë kanë mbetur të ngujuar nga mbrëmë në horizontet 9, 10 dhe 11 me rreth 900 metra nën tokë.
Shkak i ngujimit të tyre kanë qenë problemet me energji elektrike. Lajmin për RTK e ka konfirmuar Sami Uka, udhëheqës i Elektro Makinerisë në Trepçë.
Ai tha se tashmë minatorët kanë filluar të dalin përmes shkallëve alternative, duke shtuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.