in

Një gazetar vritet mesatarisht çdo ditë në luftën Izrael-Hamas

Një gazetar ose punonjës i medias vritet mesatarisht çdo ditë në luftën Izrael-Hamas, tha të hënën kreu i i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), duke e bërë këtë konflikt të pakrahashueshëm me asnjë tjetër më parë përsa i takon pasojave tek media. Rreth 60 përfaqësues të mediave janë vrarë që kur filloi lufta më 7 tetor, duke iu afruar numrit të gazetarëve të vrarë gjatë gjithë Luftës së Vietnamit gjysmë shekulli më parë që zgjati për dy dekada. Luftërat e tjera brutale në Lindjen e Mesme as nuk i janë afruar intensitetit të asaj aktuale.

“Në një luftë tradicionale si për shembull ato në Siri, në Irak, në ish-Jugosllavi, nuk kemi parë këtë lloj masakre,” tha sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Anthony Bellanger në një intervistë për agjencinë Associated Press. Dhe që kur skadoi armëpushimi njëjavor në Gaza të premten, humbjet kanë vazhduar, tha ai: “Për fat të keq, morëm lajmin e keq këtë fundjavë që pas përfundimit të armëpushimit, janë vrarë tre ose katër (gazetarë) të tjerë.”. Zoti Bellanger tha se rreth 60 gazetarë kanë humbur jetën, përfshirë të paktën 51 palestinezë, si edhe izraelitë dhe libanezë. Shumica janë vrarë gjatë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ai tha se janë vrarë edhe gazetarë izraelitë gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor që ishte shkaku i fillimit të luftës. Ai tha se këto shifra bazohen në të gjitha burimet që federata përdor për raportin e saj vjetor. Përveç viktimave në njerëz, në Gazë janë shkatërruar edhe objektet e shumë organizatave mediatike, tha ai. Ai vlerëson se para konfliktit në Gazë kishte rreth 1,000 gazetarë dhe punonjës të medias dhe thotë se tani askush nuk mund të dalë nga Gaza. Megjithatë edhe në mes të shkatërrimit, gazetarët vendas vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, thotë Nasser Abu Baker, president i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë.

“Ata kanë humbur familjet e tyre dhe vazhdojnë punën”, tha ai. “Ata janë pa shtëpi dhe vazhdojnë punën. … Pa ushqim, pa siguri për ta, pa familje. Edhe nëse familjet e tyre janë ende gjallë, ata nuk janë me familjet sepse familjet jetojnë ose flenë në spitale.”. Zoti Bellanger tha se autoritetet izraelite nuk ishin përgjegjur.

Lini një Përgjigje

Karamuço: Vrasja e Liridonës nga bashkëshorti, ajo ka ditur sekrete shumë të mëdha

Vrasja e 14-vjeçares në Shkup/ Babai në burg, urdhër-arresti për politikanin pro-rus