in

Nga Trump te Biden, Marrëveshja e Uashingtonit mbetet e paprekshme

Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e normalizimit ekonomik me njëra-tjetrën të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë, më saktësisht prezent në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte edhe ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Por, pavarësisht pretendimeve se e njëjta mund të shfuqizohet kur presidenti Trump t’i humb zgjedhjet, kjo po del të jetë ndryshe. Sekretari amerikan i shtetit në administratën e Joe Biden e ka përkrahur këtë marrëveshje me të ardhur në pozitën e re. Por gjithashtu edhe akterë të tjerë të lartë të SHBA-ve që janë të përfshirë në këtë çështje po e shohin si të paprekshme aktualisht këtë marrëveshje.

Partitë e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate) e konsideruan këtë marrëveshje si historike, por në anën tjetër, partitë opozitare e me theks të veçantë Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtuan ashpër këtë marrëveshje, duke e konsideruar në dëm të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Reagimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte i ashpër. Ata e quajtën këtë marrëveshje si ekonomizim të dështimit të shkëmbimit të territoreve, duke ndjekur linjën e deklaratave të liderit të tyre, Albin Kurti se në Shtëpinë e Bardhë ka “thika mbi harta”.

Në këtë reagim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhej se e gjitha është bërë në dëm të Kosovës dhe i ka hapur rrugë Serbisë për zhvillim dhe akuza të tjera të rënda ndaj ujdisë që arritën Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu, kjo linjë diskursi u përcoll edhe në opinionin publik. Madje, kundërshtimet ndaj marrëveshjes së Washingtonit shkuan edhe më tutje duke e lidhur atë me rënien e ish-presidentit Trump – pra me pretendimet se e njëjta do të shfuqizohet pasi Trump të mos jetë më president i SHBA-ve.

Por, siç duket e gjithë kjo do të mbetet në nivelin e dëshirave të këndvështrimeve të caktuara mbi këtë marrëveshje.

Është Anthony Blinken, sekretari i zgjedhur amerikan i shtetit në administratën e presidentit të ri, Joe Biden i cili ka duartrokitur angazhimin e administratës së ish-presidentit Trump për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një seance të konfirmimit të mbajtur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ai u pyet nga senatori Ron Johnson në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Uashington. Johnson tha se gjërat nuk po përmirësoheshin derisa nuk u paraqit Richard Grenell me idenë e normalizimit të raporteve ekonomike.

“Ju përmendet edhe punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë. Unë e duartrokas atë. Presidenti i zgjedhur (Joe Biden) ka kaluar shumë kohë në këto vende në të kaluarën dhe mendoj se ndan bindjet për gjërat që mund të bëjmë për të ndihmuar Kosovën që të lëviz përpara dhe gjithashtu me shpresë edhe Serbinë”, tha Blinken.

Por, përveç tij, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë kanë dhënë sinjale se marrëveshja e 4 shtatorit në Washington do të jetë e paprekshme. Ambasadori amerikan në Kosovë Philipp Kosnett dhe Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin kanë pasur deklarata të njëjta lidhur me këtë çështje.

Kosnett në një intervistë për Televizionin Publik, iu referua deklaratës së lartcekur të Blinken, duke shtuar se Marrëveshja e Uashingtonit shtë në fuqi derisa të ketë një ndryshim të mundshëm (jo të domosdoshëm). në të ardhmen.

Javën e kaluar, gjatë seancës dëgjimore për konfirmim para Senatit të SHBA-së, Tony Blinken, i cili është i zgjedhuri i presidentit Biden për postin e sekretarit të shtetit, tha se ai duartrokit punën që është bërë nga administrata e Trumpit për Kosovën dhe Serbinë. Kjo është në kontekst të përgjigjes së pyetjes që të gjithë po e bëjnë ‘a është marrëveshja e Uashingtonit ende në fuqi? A synon administrata e Bidenit që të vazhdojë punën e bërë nga administrata paraprake?’ dhe përgjigja në thelb për këto dy pyetje është po, ne e konsiderojmë Marrëveshjen e Uashingtonit në fuqi deri sa të ketë ndonjë ndryshim të mundshëm që mund të bëhet në të ardhmen dhe pres që do të vazhdojmë të punojmë mbi punën e bërë më herët”, ka deklaruar Kosnett.

Në vijë me këtë ka qëndruar edhe Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin, Matthew Palmer.

Ai gjatë një bisede telefonike me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj është shprehur se qëndron i fokusuar në vazhdimin e implementimit të marrëveshjes së Washingtonit.

Me theks të veçantë, ai ka përmendur formalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit që ishte një ndër pikat e marrëveshjes në Uashington.

Marrëveshja e 4 shtatorit e vitit të kaluar parashihte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë dhe disa pika të tjera të cilat lidhen me mirëqenien qytetare.

Këtu mund t’i lexoni të gjitha pikat që përmban marrëveshja e cila po del të jetë e paprekshme dhe po cilësohet shumë e suksesshme edhe nga administrata e presidentit të ri të SHBA-ve, Joe Biden.

  • Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen për autostradën Prishtinë – Beograd të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
  • Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen e hekurudhave Prishtinë – Beograd të nënshktuar më 14 shkut, 2020.
  • Kosova dhe Serbia do të punojnë me SHBA-të me Koorporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar dhe EXIM në memorandume të mirëkuptimit për të operacionalizohen në: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit, Sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Projekte bilaterale, Një prani ndërkombëtare, e Koorporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi.
  • Të dy palët do të hapin dhe do të operalizojnë Pikën e Përbashkët Kufitare në Merdare.
  • Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.
  • Të dy palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe çertifikatat profesionale.
  • Të dy palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe subjekte të tjera të qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes së Liqenit së Gazivodës/Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë.
  • Të dy palët do të diversifikojnë furnizimet e tyre të energjisë.
  • Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë të pranishme, të dy palët angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.
  • Të dy palët do të rrisin kontrollimin e pasagjerëve në linjat ajrore, shkëmbimin e informacionit midis tyre dhe brenda kornizës së bashkëpunimit më të gjerë të SHBA-së në Ballkan dhe do të angazhohen për azhurnime të teknologjisë për të luftuar aktivitetet e paligjshme duke zbatuar dhe funksionalizuar sistemet e shqyrtimit dhe informacionit të ofruara nga SHBA-të, përfshirë PISCES, APIS, ATS dhe SRTP.
  • Të dy palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe dhe risituimin e vazhdueshëm të pasurisë hebreje të trashëguar nga periudha e Holokaustit.
  • Të dy palët zotohen të shpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dy palët angazhohen të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje afatgjata, të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dy palët angazhohen të identifikojnë një grumbull kontakti për të udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse qeveritare dhe për të koordinuar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të ofrojnë një azhurnim vjetor mbi numrin e çështjeve të zgjidhura dhe në pritje.
  • Të dy palët do të punojnë me 69 vende të kriminalizojnë homoseksualitetin dhe për të nxitur dekriminalizimin.
  • Të dy palët zotohen të përcaktojnë Hizballah në tërësinë e saj si organizatë terroriste dhe të zbatojnë plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hizballah në juridiksionet e tyre.
  • Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium një vjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësimin Organizatat Ndërkombëtare. Serbia do të pranojë një moratorium një vjeçar për ndalje të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të përmbahet të kërkojë ndonjë shtet ose organizatë ndërkombëtare që të mos njohë Kosovën si një shtet të pavarur. Të dy marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.
  • Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëra-tjetrën. /Lajmi.net/ 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Bie numri i pasagjerëve

Ekipi i OBSH-së në Wuhan për të zbuluar origjinën e koronavirusit