(- Pleq, gra, fëmijë, shkuan në këmbë drejt vëndit të syrgjynosjes, duke e përballuar me guxim lodhjen, edhe pse përtej forcave të tyre, të ndihmuar kështu nga apostulli i Krishtit, Markoviç, i cili u fliste për një të ardhme më të mirë dhe shpërblimin e përjetshëm për të gjitha vuajtjet e tyre”. Kështu shkruan Hecquard. Sipas “motrave” tona Bernardine dhe Marie, nuk ishte vetëm një fshat që u deklarua i krishterë, por tri fshatra. Sipas tyre, disa i mbajtën në burg që nga nëntori i vitit 1845 gjer në shkurt të vitit 1846. Dhe meqë torurat nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre, Hafez-Pasha nxorri dekretin e syrgjynosjes. Pra të burgosurit u vunë në rrugë: ata në këmbë dhe shoqëruesit e tyre në kuaj, ku gratë ishin veçmas burrave dhe të trajtuar në mënyrën më barbare.
Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare, sa shumë nga malsorët vdiqën, disa në rrugë, të tjerët kur mbërritën në Selanik. Katër gra lindën rrugës. Në portat e Selanikut, një fëmijë të sapo kishte lindur e hodhën në det. Ndërsa priftin, të ndarë nga turma, ushtarët e kishin nisur drejt Konstantinopojës. Një prift nga Syra, i cili sot është kolegu ynë dhe që quhet Leonardo Vaccandio, atëherë ishte në misionin tonë në Selanik. I informuar se një numur familjesh katolike shqiptare gjëndeshin në atë han ku i kishin vendosur, të privuar nga gjithçka dhe ku shumë prej tyre rrezikonin të vdisnin, nxitoi t’i shikonte. Por asgjë nga sa flitej nuk ishte e ekzagjeruar. Dhe ja pse ai shkoi t’i tregonte për këtë konsullit të Francës dhe të Anglisë, miqve të tij, për atë çka kishte parë e kishte dëgjuar. Konsujt i folën guvernatorit të qytetit dhe meqë kjo ngjarje po bënte zhurmë në Selanik, ai nxitoi t’i hiqte që andej të syrgjynosurit.
Njëri sipër tjetrit ata i hodhën në një anije që do t’i çonte në Mudania, në detin e Marmarasë. Duke parë këtë, shumë familje katolike, në kohën që prifti Vaccandio bënte lutjet e tij, shkuan dhe mblodhën me nxitim një sasi ushqimesh, të cilat i sollën në kuvertën e anijes. Por me një barbari e mizori të pashoqe, ekuipazhi i anijes i morri ato për vete. Pesë apo gjashtë ditë që këta besimtarë qëndruan në Selanik, ata u vizituan nga prifti Vaccandio, i cili i ngushëllonte dhe i ndihmoi përmes familjeve katolike që banonin atje. Dhe kur ata ikën, ai nxitoi t’i shkruante Monsinjor Hillereau-së, vikarit apostolik në Konstantinopojë. Ai në fakt donte t’i mbante në Selanik ata që ishin sëmurë, por guvernatori kundërshtoi. (Mund të shtojmë se Viccandio ishte nga të parët që shkoi te guvernatori për të mos i lënë më në atë gjëndje, ata katolikë, të cilët ishin pa ushqime të mjaftueshme, që flinin në tokë të xhveshur dhe ishin të keqtrajtuar nga gardianët). Me gjithë kundërshtimet, me kurajo dhe i mbështetur nga konsulli i Austrisë, Mikanoviç, një katolik i zellshëm dhe kolegu ynë hyri disa herë në atë han që ishte kthyer në një lloj burgu.
Ai i mblodhi të rrëfehen dhe u kujdes për ata që po vdisnin, i varrosi të vdekurit dhe bekoi disa martesa mes tyre. Mëshira dhe kujdesi i tij u bënë të njohura mes katolikëve të qytetit, ku atyre të syrgjynosurve u sollën veshje, ushqime e shtroje për të fjetur, të nevojshme për atë sezon të lagësht të pranverës, çka dhe mbrojti jetën e disave. Lidhur me vuajtjet e tyre në atë kalvar, vetëm Zoti e di. Ata përjetuan gjithçka: urinë, etjen, keqtrajtimet. Më pas një djaloshi i prenë gishtat e këmbëve, për shkak se e kishin rrahur me shkopinj. Për një gotë ujë, osmallinjtë u kërkonin 1 piastër ose 25 cent. Dhe më pas ndaluan tu jepnin ujë, meqë ata s’kishin më para. Uria e etja bënë që fëmijët të lëshonin klithma të tmerrshme, aq sa marinarët nuk i duronin dot dhe shumë prej tyre i hodhën në det. Kështu ndodhi dhe me një prind që humbi dy fëmijët binjakë të moshës tetë vjeçare. Dhe një grua në agoni, e hodhën gjithashtu në det, para se ajo të jepte frymën e fundit.”
Këto rreshta, të lexuara në atë sallë të ftohtë të arkivit të Misionit Lazarist në Paris të krijojnë padyshim një gjëndje të rëndë, plagosëse dhe shkatërruese. Ç’tragjedi, ç’dhimbje, ç’ferr i tmerrshëm për ata shpirtra të pafajshëm që shtyheshin në mënyrë barbare drejt rrugës së vdekjes, drejt atij kalvari që kishte përshkruar Dante e para tij, atë që kishin përshkruar në dramat e tyre tragjedianët e mëdhenj grekë të Antikitetit, duke filluar me Eskilin. Por kjo tragjedi, që prisje të përfundonte, vazhdonte më tej:
“Kur mbërritën në Mudania, njëmbëdhjetë prej tyre, që sapo kishin vdekur, i lanë në breg, në një gropë. Të tjerët i hipën në një anije tjetër të vogël që të mund t’i ngjiteshin lumit për t’i çuar në Muhaliç. Në kohën kur po i transportonin nga anija, një shqiptar i quajtur Mici, me fe ortodokse dhe që gjëndej rastësisht aty, i njohu ata nga rrobat karakteristike që kishin veshur. Ai u habit shumë që po i tërhiqnin për t’i hedhur në një barkë tjetër, sikur të ishin trungje, apo cungje drush. I prekur në shpirt, ai morri menjëherë barkën e tij dhe i çoi ata larg në Muhaliç, në atë vend tepër kënetor dhe shumë të pisët për shqiptarët tanë që kishin jetuar gjithnjë në ajrin e maleve.
Por e tmerrshme ishte se i hodhën së bashku në një ndërtesë të vjetër, aty ku në kohën e kolerës vendosnin të vdekurit. Sapo i futën, djaloshi Mici iu afrua dhe së pari u përgatiti një supë, pastaj u dha paratë e tij gjersa asgjë nuk i mbeti në kuvertën e tij. Ndërkohë, në Selanik, me urdhër të pashait, At Antonio ishte arrestuar sapo ishte kthyer në kishën e tij. Por vendosmëria e z. Mikanoviç, konsullit të Austrisë, arriti ta shkëpusë nga ata dhe me një anije ta nisë drejt Stambollit. Meqënëse ishte dalmat, pra një person që varej nga shteti austriak, ai shpresonte se zotit Sturmer, që atëherë ishte Internonce, si përfaqësues i Austrisë do t’i mbronte ata katolikë të mjerë, për të cilët, prifti françeskan ishte bërë një At shpirtëror. Por kjo nuk ndodhi dhe arësye diplomatike e penguan z. Sturmer të mbronte hapur kauzën fisnike të fesë dhe të njerëzimit.
Madje, At Antonio u burgos nga turqit. Nuk mund ta pranojmë akuzën kundër këtij përfaqësuesi të Austrisë se kishte gisht në aktin e padëgjuar e revoltues të turqve. Kolegu ynë Viccandio, që e pa At Antonion kur kaloi nga Muhaliç në Selanik, nuk ka dëgjuar për një ankesë të tillë. Madje do donim të supozonim se ndërhyrja e Austrisë u arrit të bëhej ndaj qeverisë turke, në sajë të At Antonios. Kur ishte gjetur një mëngjes para portës së hapur të burgut, ky shkoi dhe takoi shqiptarët e shtrenjtë. Ndërkohë, Monsinjor Hillereau kishte mësuar se të syrgjynosurit ishin andej nga Bursa dhe menjëherë shkoi të kërkonte z. Bonnieu, i cili e flet mirë gjuhën turke si dhe abatin Hillereau, nipin e tij. Me të shkuar në Bursa, ata mësuan se besimtarët tanë ishin në Muhaliç në një gjëndje të patreguar. Duket se ishte zoti Sandisson, konsulli i Anglisë, i cili na dha këtë lajm. Edhe pse protestant, z. Sandisson ka treguar gjithnjë një mirëdashje prekëse ndaj katolikëve shqiptarë. Duke parë se kolegu ynë, abati Hillereau shkoi në Muhaliç, ai dërgoi atje drogmanin e tij z. Gjeorgjiaki, sëpari për t’i shoqëruar dhe pastaj për të ditur se ç’bëhej me ata të syrgjynosur shqiptarë. Por po i lë fjalën kolegut tim në këtë raport të shkruar, (jo fill pas kthimit të tij nga Muhaliç, pasi atë e kapën ca ethe sa gati dhe vdiq), por gjatë kohës së shërimit të tij.”
Persekutimi dhe syrgjynosja
«Persekutimi dhe syrgjynosja e 200 shqiptarëve në Muhaliç të Bursës në Bitini», kështu e titullon një pjesë të raportit të tij At Faveyrial që padyshim përbën një nga tregimet më prekëse dhe më revoltueset kundër barbarisë, çka padyshim rradhitet ndër ngjarjet e tmerrshme që pa Evropa gjatë kohës së Inkuizicionit. “Eshtë e pamundur, – shkruan ai, – të japësh një ide të gjëndjes së mjerueshme dhe dëshpëruese në të cilën ishin katandisur të syrgjynosurit shqiptarë, viktima të mizorisë së pashait të asaj province. Ata janë në një fshat, në jug-lindje të Bursës, i cili quhet Muhaliç, gati një orë larg liqenit të Apolonisë, (në Turqi, L.R.). Unë i pashë atje në mjerimin më të tmerrshëm, të xhveshur, lakuriq e gjithë zhele. Ajo pamje më tmerroi.
kolana e librave
Nga 180 persona që kur kishin ikur nga vëndi i tyre, nuk kanë mbetur veçse 87 dhe në prag të vdekjes. Ata banojnë në një han të vjetër, që pothuaj është një rrënojë, ku oborri është i mbushur me kocka kafshësh, që disa tregëtarë i dërgojnë në rafineritë e sheqerit, nëpër Evropë. Ditën e mbërritjes së tyre, ata ishin aq të lodhur e të dobët, aq të keqtrajtuar gjatë asaj rruge të mundimshme, sa pesë prej tyre vdiqën menjëherë. Vdekja i dha fund martirizimit të mundimshëm.
Që nga 25 prilli e gjer më 3 maj, dita kur z. Hillereau dhe unë patëm lumturinë të bashkonim lotët tanë me të tyret dhe tu sillnim ndonjë ngushëllim për mjerimin e tyre, çdo ditë vdiste dikush. Ishte data 3 maj kur ne shkuam në Bursa, në sajë të z. Gjeorgjiaki, i cili ishte agjent atje i konsullit të Anglisë. Ishte ora shtatë e mëngjesit kur ne hymë në atë ndërtesë të trishtë. O Zot! Ç’spektakël! Duke hyrë në atë han, ne pamë në mes të oborrit një grumbull krijesash të të gjitha moshave dhe sekseve, nga foshnjet e deri te pleqtë më të skajshëm, njerëz të kthyer në lakuriqësinë më totale, ose të mbuluar veçse me ca zhele. Meqë kishin ethe, ata rrinin në diell për tu ngrohur, duke bërë kështu që tu binin morrat që i hanin.