Hapja e konferencës do të bëhet më 19 nëntor në ora 15:00 me një bisedë të përqendruar nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me moderatore Valbona Zeneli. Organizuar nga GERMIN, organizata lidere për angazhimin e diasporës me vendet amë, nesër do të fillojë konferenca virtuale “Diaspora Flet 2020” . Me 19, 20 dhe 21 nëntor 2020, nën moton GlobAL: 2020, lidhu, krijo dhe bashkëpuno, do të jenë folës dhe pjesëmarrës të kësaj ngjarje shumë emra me renome, dhe yje të Diasporës Shqiptare, njofton Albinfo.ch.
Diaspora Flet 2020, e cila organizohet nga Germin dhe organizata e saj simotër me qendër në SHBA The Global Albanians Foundation, synon të lidhë profesionistë, biznese, komunitete, aktivistë e organizata nga e gjithë bota për të reflektuar mbi angazhimin e diasporës shqiptare në 20 vjetët e fundit dhe për të eksploruar dhe reflektuar mbi rolin e saj në 20 vjetët e ardhshme.
Përbrenda një programi treditor, përmes 24 sesioneve virtuale me 9 folës kryesorë dhe një programi 25-orësh do të trajtohen praktikat globale dhe ndërlidhjet mes të diasporës në temat kryesore: avokimi & diplomacia, bizneset, investimet & filantropia dhe kapitali njerëzor & edukimi.
Germin, në kuadër të konferencës virtuale Diaspora Flet ka paraparë:
Hapja e konferencës do të bëhet më 19 nëntor në ora 15:00 me një bisedë të përqendruar nga ish-Presidetja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me moderatore Valbona Zeneli. Znj. Jahjaga në konferencën Diaspora Flet 2020 do të flasë më shumë për rolin e saj diplomatik dhe mbështetjen e kauzave të rëndësishme shoqërore.
Pjesa tjetër do të jetë hapësirë për rrjetëzim, fjalime inspiruese dhe katër (4) debate interaktive mbi kulturën, diplomacinë, politikën dhe forcimin e bashkëpunimit. Në ditën e parë, nga ora 20:00 do të zhvillohet nje bashkëbisedim me ambasadorët amerikanë në Shqipëri dhe Kosovë, përkatësisht Sh.S. znj. Yuri Kim dhe Sh.T. z. Philip Kosnett. Ky panel do të moderohet nga z. Behar Xharra, sipërmarrës i ri në Uashington DC, ShBA, njëherit bashkë-themelues i GERMIN.
Dita e dytë, më 20 nëntor 2020, e cila fillon nga ora 15:00, do të fokusohet kryesisht në debate paralele për temat si: Investimet, Filantropia, Teknologjia & Inovacioni, ndikimi socio-ekonomik i COVID 19. Poashtu, do të ketë edhe bisedë të përqëndruar me Elvin Gurin përballë gazetarës Ilva Tares, i cili do të flasë për angazhimin ekonomik të diasporës dhe ndërtimit të besimit për investime në vendlindje dhe filantropinë.
Në ditën e fundit, 21 nëntor 2020, dy ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën e diasporës dhe miq të Germin, Kingsley Aikins & Martin Russell nga Irlanda, do të flasin për praktikat më të mira globale në angazhimin e diasporës dhe rrjetëzimin. Temat tjera të cilat do të trajohen në ditën e tretë janë: kapitali njerëzor dhe kthimi i trurit, gjuha shqipe dhe trashëgimia dhe të rinjtë në diasporë dhe edukimi. Poashtu, në këtë ditë, nga ora 18:00 do të ndodhë edhe formati “Bisedë mes kampionësh” me Robin Krasniqin dhe Lorik Canën. Konferenca pritet të mbyllet me një artiste me famë botërore nga diaspora, paraqitja e së cilës do të mbahet si surprizë e konferencës, thuhet ndër të tjera në informatën e Albinfo.ch