Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të cilën e ka kryesuar Shkëmb Manaj, kryetar.
Në këtë mbledhje, është formuar Grupi Punues për të shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për kandidatët për anëtarë dhe zëvendësanëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Më pas, Manaj i ka njoftuar anëtarët e komisionit se ka pranuar një ftesë nga Gjykata Kushtetuese për të marrë pjesë në seancën publike në lidhje me rastin e Etem Arifit.Kurse, pika e katërt e rendit të ditës lidhur me ndryshim-plotësimin e nenit 81 të Rregullores së Kuvendit, është shtyer për mbledhjen e radhës.
Anëtarët e këtij komisioni, kanë marrë vendim për rishpalljen e konkursit për zgjedhjen e një (1) anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.Në këtë mbledhje, është diskutuar edhe për kërkesën e ish-kryetarit të Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, adresuar Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, Artan Çerkini, ku ndër tjerash kërkon që t’i adresohet Kuvendit për punën e këtij misioni në Kosovë.
Pas diskutimeve të shumta, është vendosur që kjo çështje të jetë pikë e vetme e rendit të ditës në mbledhjen e radhës së Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.