Në akuzën kundër tij thuhej se ishte njëri ndër pjesëmarrësit e përpilimit të tekstit mbështetës për minatorët e Stari Tërgut, me përmbajtje të papranueshme.
Gani Mehmetaj
Pas demonstratave të nëntorit dhe grevave të shkurtit të minatorëve të Stari Tergut, Zamfir Kryeziu, drejtor i shërbimeve të përbashkëta të Elektrombajtja, Obiliq, me një telegram përshëndetës i ka mbështetur minatorët dhe kërkesat e tyre të ligjshme. Kështu, LKJ- e ka përjashtuar nga partia. Pas përjashtimit vinin edhe masat tjera.
Në ngjarjet e stuhishme kur po tronditej kombi, qëndrimi i tij ishte i kundërt me qëndrimin e organeve të pushtetit në Kosovë, Serbi dhe në Jugosllavi, por ishte në të njëjtën linjë me qëndrimin e përgjithshëm të shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte në anën e kombit të tij.
Ndërkaq, Kryeziu në letrën dërguar organeve përkatëse shkruan: “Jam thellë i brengosur dhe i shqetësuar për derdhjen e gjakut të të rinjve, fëmijëve dhe të pafajshmeve, që nuk e njohin termin terrorizëm, separatizëm, nacionalizëm, gjenocid etj, por i vetmi ideal dhe qëllim i tyre është që të jetojnë në liri, barazi, mirëqenie dhe demokraci”.
Kryeziu thekson se nuk mund të solidarizohet me ata që për çështje të thjeshta karrieriste propagandojnë cungimin e të drejtave legjitime të një populli, sepse gjaku që është derdhur dhe po derdhet pa pra në Kosovë është më i vlefshëm se sa ambiciet politike të kujtdoqoftë.
Njëkohësisht, ai thotë se nuk mund të pajtohem me faktin që një populli të tërë ti vishet epiteti i fajtorit kujdestar për gjendjen në Kosovë dhe në Jugosllavi.
Natyrisht ai pati edhe pasoja të tjera, sikurse edhe shumë të tjerë, por nuk u përkul, shkoi me bashkëkombësit e vet të vuajtur që luftonin për të drejtat dhe liritë e tyre, ndërsa ngujimi i minatorëve dhe kërkesat e tyre ishin vetëm maja e ajsbergut e një lëvizje shumë më të fuqishme, të gjakimit për shkëputje nga Serbia dhe Jugosllavia.