ERALD KAPRI
Unë nuk di asnjë gjë konkrete nga ky episod i jetës së ti,j por duke e njohur Gani Kryeziun, siç e njoh tani, mund të them me bindje se ai kishte në zemër gjithë kohës interesat e shqiptarëve të Kosovës, i cili ishte njëri prej tyre që kishte vuajtur nën regjimin serb. Është e vështirë për të zbërthyer çdo gjë të këtij zotërie, ndonëse unë isha pranë tij si oficer i ndërlidhjes ushtarake.
Por, e bëj të qartë, për çfarë raportoj më sipër, është një deduksion i përfituar nga copëzat e vogla të informacionit që kam mbledhur. Detajet e luftimeve të Ganiut, besoj se tashmë janë të njohura si dhe madje të konfirmuara edhe nga Koloneli Oakley-Hill, por duhet të theksoj se Ganiu me të vëllain, me një forcë prej 4 mijë vetash, i rezistuan italianëve në kohën kur britanikët po përgatiteshin për një sulm gjerman mbi ishujt britanikë.
Kjo brumosi bindjen te Ganiu, i cili edhe pse pa kombe të tëra që u dorëzuan, Britania do të triumfonte në luftë, edhe pse e vetme. Ai po ashtu, kishte besim se qeveria britanike do të ndërhynte për të ndihmuar Shqipërinë siç ka bërë me kombe të tjera të vogla, pasi luftimet të përfundonin. Ai dinte shumë pak në lidhje me politikën e jashtme britanike, e cila do të sakrifikohej për hir të vrasjes së ca gjermanëve më shumë.
Në këtë stad, kjo ide atij as që do i shkonte ndërmend, që Britania e madhe do të mbështeste komunistët. Unë vetëm mund të lutem dhe të imagjinoj zhgënjimin e madh që ai ka ndjerë kur ka mësuar se Britania e Madhe, jo vetëm nuk e ka injoruar politikën fanatike të disa organizatave, por u ka dhënë ndihma të vazhdueshme duke fuqizuar këto organizata, që quheshin luftuese, por që në fakt i ka ndihmuar që ato të arrijnë objektivin e tyre, e për më tej, që mund të detyronin atë t’u bashkohej elementëve pro gjermanë.
Pasi u rezistoi italianëve dhe gjermanëve, për disa kohë, forcat e Gani Kryeziut u shpërbënë dhe ai me familjen e tij u detyruan të largohen nga Jugosllavia pas kapitullimit, e më pas do të kapeshin e do të detyroheshin të shkonin në kamp përqendrimi në Itali. Është tepër interesante kur konstaton se asnjë nga “heronjtë” e Frontit Nacional Çlirimtar nuk ka qenë në atë burg.
Në fakt, i vetmi person i njohur që ka ndërmarrë aksione herët, që ka luftuar me Ganiun dhe ishte një element pro nacionalist brenda LNÇ-së, ishte Mustafa Gjinishi, vdekja e të cilit, në mënyrë misterioze, në një aksion së fundmi, ka shkaktuar shumë tronditje brenda elementëve të tjerë të “djathtë” në LNÇ. Gjatë qëndrimit në burg në Itali, Ganiu gjithnjë shpresonte për t’u arratisur që atje. Me atë ide, ai planifikoi ngritjen e një lëvizjeje kundër gjermanëve.
Shpresat e tij filluan të kishin bazë kur vëllai i tij, Hasan Kryeziu, u kthye në Shqipëri dhe filloi lëvizjen. Duke përdoru çdo mjet të mundshëm, Gani Kryeziu, i vëllai, Saidi, dhe Lazar Fundo, i cili ishte mik i tyre, ndonëse kishte qenë komunist, por që mbështeste hapur idetë e Kryeziut, u arratisën nga Italia dhe arritën në Shqipëri në fund të vitit 1943. Në atë kohë, Majori Kemp kishte ngritur një mision për qëllime inteligjence në Kosovë.
Në raportin e tij, gjeni detaje nga zbulimet e tij, por duhet theksuar se me rikthimin e tij të menjëhershëm në Shqipëri, Ganiu kontaktoi menjëherë misionin dhe nisi rezistencën me shpresën se do kishte ndihma britanike. Është e pafat çka ndodhi me aktivitetin e Kempit në Kosovë, ku u akuzuan interesat dhe dyshimet mbi Titon (pasi në këtë kohë urrehej nga KOSMET-i) pasi nisur nga këto kushte, Kemp u largua në mënyrë që të mos cenoheshin marrëdhëniet me Titon.
Suksesi i lëvizjes së Ganiut do të duhet të mbështetej me ndihmën e menjëhershme me armë dhe veshmbathje. Tërheqja e Kempit, si dhe ekzistenca atje e oficerit britanik shumë pro partizanëve, Hands, u bë e pamundur që Ganiut të merrte vëmendjen e duhur e në veçanti materiale për luftime. Marrëdhëniet e Ganiut me KOSMET-in ishin shumë të mira, pavarësisht se idetë e tij politike nuk e lejonin që të bashkohej me forcat e FNÇ apo me KOSMET-in.
Gjithsesi, ai ishte mjaft i përgatitur të luftonte gjermanët në bashkëpunim me KOSMET-in. Kjo nuk i erdhi për shtat stafit tonë atje, të drejtuar nga Hands, të cilët kërkonin të ishin forca kryesore kontrolluese e veriut. Ndaj, ata refuzuan të furnizojnë me armë Gani Kryeziun. Gani Kryeziu këmbënguli disa herë të diskutonte çështjen me oficerin britanik Hands, por ai injoroi komplet dy letrat e shkruara nga Ganiu.
Në përgjigjen për letrën e tretë, ai i thoshte Ganiut se do të merrte pjesë në një konferencë dhe se në asnjë rast nuk mund të diskutonte çështjen e ndihmave ushtarake, pasi kishte marrë urdhra nga Kajro “për të mbështetur partizanët”. Mësymja gjermane e marsit 1944, kundër misionit britanik dhe partizanëve, i dha mundësinë Gani Kryeziut për të pasur mbështetjen britanike. Oficeri britanik, i cili u la në baltë nga KOSMET-i, u informua se Gani Kryeziu do i siguronte jetën dhe një vend të sigurt. Por ai e injoroi këtë mesazh dhe misioni i tij shkoi në jug të vendit për t’i shpëtuar kësaj situate.
Raportet nga disa prej oficerëve tanë të ndërlidhjes, se njerëzit në veri ishin “reaksionarë” dhe se nuk do luftonin kurrë gjermanët, nënshkruan vdekjen e ideve të Gani Kryeziut për një kryengritje të madhe kundër gjermanëve në pranverën e vitit 1944. Ganiu luajti një rol të madh për të paraqitur situatën reale dhe mori mbështetjen morale e materiale nga Britania e Madhe, dhe lëvizja e tij do të ishte më e fortë se FNÇ-ja, por jo për sa kohë që oficeri Hands ndodhej në veri.
Ndihma që mori Ganiu ishte e vogël dhe gjithnjë vonë në kohë. Gjatë kësaj kohe, unë kam qenë duke punuar në zonën e Dibrës dhe asnjëherë nuk kam qenë i bindur me idenë se nuk ka shpresë për të nxitur luftime në veri. Kjo ishte e bazuar në bisedat që kam bërë me shumë oficerë, që kishin kaluar mjaft kohë në atë rajon dhe menjëherë shpreha dëshirën për t’u nisur në veri, në mënyrë që të qartësonim situatën.
U theksua se nuk do isha i kursyer në këtë aspekt duke pasur parasysh se nuk kisha dyshime për raportet e oficerëve të tjerë që kishin qenë në veri. Por, për 3 muaj, nga marsi në maj të vitit 1944, nuk pati asnjë mision ushtarak britanik në veri, përtej lumit Drin, ndaj dhe nuk kuptohej se ç’po ndodhte atje. Gani Kryeziu vijonte të punonte për të krijuar lëvizjen e tij pro britanike dhe kishte nisur aktivitetet duke mbledhur një numër të madh mbështetësish.