Në 100-vjetorin e lindjes së studiuesit e mbledhësit të folklorit, pajtuesit të shqiptarëve, Anton Çetta, Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës është mjaftuar me një postim në rrjetin social “Facebook”.
“Shpresojmë që në këtë përvjetor jubilar, më në fund, të del në dritë botimi i kompletit të veprave të prof. Çettës, i përgatitur e përfunduar nga dega jonë me bashkëpunëtorë”, thuhet në postim.
Ky Institut prej më tepër se dy vjetësh po e mban peng nismën për vendosjen e shtatores së Çettës para objektit të vet.
Në një intervistë për “Koha Ditore”, në gusht të vjetëm vikari i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, don Lush Gjergji pat thënë se nuk ka një falënderim as ndaj punës së tij e as ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve.
“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, pa deklaruar imzot Lush Gjergji.
Ai pat thënë se i konsideron heronj të gjallë të gjithë ata që në emër të popullit falën gjakun e më të dashurve të tyre në fillim të viteve nëntëdhjetë. Shpreh keqardhje se ata njerëz janë lënë anash, megjithëse falja e rreth 1200 gjaqeve ndali vëllavrasjen në kohën kur regjimi brutal i Slobodan Milosheviqit nisi zbatimin e masave represive pas suprimimit të autonomisë. Gjergji, pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës, thotë se pa ndaljen e vëllavrasjes nuk do të kishin sukses as lëvizjet për liri.
Don Lush Gjergji është anëtar i Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës. Ai e përshkruan si zotni plakun e urtë që për dekada me radhë kishte mbledhur folklorin shqiptar.
“Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar”, thekson Gjergji. “Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptare është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje”.
Harresa për një kolos, mbledhës folklori e pajtimi të shqiptarëve
Kujtojmë, sot më 3 janar, prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në 100 vjetorin e lindjes.
Prof. Anton Çeta, gjakovari madh, intelektuali i ndritur, mbledhësi shquar i folklorit, shkrimtari njohur e pajtuesi i palodhur i gjaqeve, në 100 vjetorin e lindjes. Punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës.
Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë. Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.
Pikërisht letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës. Prof. Anton Çeta la pas si autor apo si bashkautor 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit.Ai u bë i njohur edhe si poet i letërsisë fëmijnore dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja. Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të Alfons Dodesë e të Gi Mopasanit; nga gjuha italiane, vepra të Edmond D’Amicis e Alberto Moravias. Nga kjo gjuhë përktheu edhe veprën lirike të Pashko Vasës “Trëndafil e gjemba”.
Që nga viti 1990 prof. Anton Çeta u vu në krye të aksioni mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit. Prof. Anton Çeta u bë kështu, që për së gjalli, institucion i urtisë së popullit shqiptar, zbulues i thesarit të tij e i shpirtit të tij.
Anton Çeta qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë i kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë iu kushtua mbledhjes dhe studimit të folklorit shqiptar. Shkrimtar, mbledhës e studiues i letërsisë popullore, përkthyes i jashtëzakonshëm, prof. Anton Çeta mes tjerash shkroi: “Në prehën të gjyshes”, “Tregime popullore të Drenicës”, “kërkime folklorike” etj.I saktë, i njerëzishëm, i drejtë, fisnik, atdhetar e besimtar
Mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë: i saktë, i njerëzishëm, fisnik e dinjitoz, i dashuruar me kulturën e popullit të vet: të vjetër e të re, të pashkruar e të kultivuar, ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore. Prof. Anton Çeta punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Vdiq më 2 nëntor 1995.
Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Këngë dasme” I-II, Anekdota I; “Vajtime, gjëmë dhe elegji”. “Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës; “Në prehën të gjyshes” (1955); “Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963); “Kërkime folklorike” (1981); “Nga folklori ynë I-II” (1983-1989).
Lexoni edhe:
Shtatoren e Anton Çettës dhe Pjetër Bogdanit në vende publike nuk i lejoi shteti