in

Muzika shqiptare në Sinagogën e Madhe të Timishoarës

(Kompozitorët shqiptarë krahas atyre botërorë)

Më 9 mars 2023, në qytetin e Timishoarës, kryeqyteti kulturor i Europës për vitin 2023, me mbështetjen e Komunitetit Hebre të Timishoarës dhe Federatës së Komuniteteve Hebraike në Rumani, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizoi në Sinagogën e Madhe të qytetit një recital të jashtëzakonshëm muzikor.Timishoara është e njohur për bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare. Përpos rumunëve, gjermanëve, hungarezëve, hebrenjve, serbëve, çekëve apo sllovakëve, në këtë qytet kanë jetuar dhe jetojnë akoma edhe shqiptarë.Koncerti i konceptuar nga ALAR-i synoi që të bënte të njohur vlerat e muzikës shqiptare, krahas atyre të popujve të tjerë. Fakti që këtë vit Timishoara është dhe Kryeqyteti Europian i Kulturës ishte një rast i mirë për të promovuar kulturën shqiptare në një kontekst europian. Muzika dhe kultura janë mjete të dialogut mes popujve dhe një mënyrë për promovimin e diversitetit kulturor dhe bashkëjetesës paqësore midis popujve.Në Sinagogë u luajtën pjesë muzikore nga kompozitori i mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi, dhe u kënduan në gjuhën shqipe romanca të Tonin Harapit dhe Kristo Konos nga pedagogia e Universitetit të Bukureshtit, zonja Claudia Codreanu (mezzo-soprano), e shoqëruar në piano nga profesori universitar i pianos, Piro Gaqi, i cili ishte dhe drejtor artistik i këtij koncerti. Vargjet në gjuhën shqipe dhe muzika shqiptare u dëgjuan krahas pjesëve të tjera në gjuhën hebraike, rumune, franceze e gjermane të autorëve të njohur të muzikës botërore, si Charpentier, Händel, Mozart, Rossini, George Enescu, Mauris Ravel, Dan Mizrahi apo Tiberiu Brediceanu.

Kuarteti i vilonçelit “Placello”, me famë ndërkombëtare, i përbërë nga instrumentistët Răzvan Suma, Ella Bokor, Mircea Marian dhe Soma David, interpretoi me mjeshtëri vepra të autorëve të sipërpërmendur. Por ajo që u vlerësua dhe befasoi publikun ishte fakti se “Placello” luajti për herë të parë “Vallen simfonike nr 2” të kompozitorit Thoma Gaqi, përshtatur për violonçel , e cila u duartrokit gjatë nga publiku. Mezzo-sopranja Claudia Codreanu, profesore në Universitetin e Muzikës së Bukureshtit, e shoqëruar në piano nga pianisti Piro Gaqi, interpretoi romanca nga repertori universal i muzikës. Mbrëmja u mbyll në një mënyrë festive, kur të gjashtë artistët interpretuan “Habanera” nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, në një aranzhim muzikor të kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi.Deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës shqiptare të Rumanisë, kryetari i ALAR-it, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, si dhe koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR-it, Dr. Luan Topçiu, ishin mikpritësit e aktivitetit në Timishoara. Me ftesë të deputetit Stoica, në recital ishin të pranishëm edhe deputetët Ovidiu-Victor Ganț (sekretar i Dhomës së Deputetëve, përfaqësues i pakicës gjermane në Rumani), deputetët Iulius-Marian Firczak dhe Ognean Crastici, Presidentja e komunitetit të Hebrenjve në Timishoara, Luciana Friedmann, zv/rektori i Universitetit Perëndimor të Timishoara-s, si dhe autoritete të qarkut. Ndër të pranishmit ishte edhe profesori i mirënjohur dhe muzikanti, Marin Cazacu, aktualisht drejtor i Filarmonisë “George Enescu” të Bukureshtit – institucioni më i rëndësishëm i muzikës klasike në Rumani.Vendet e parashikuara për publikun artdashës ishin të pamjaftueshme për audiencën shumë të madhe, por bukuria e recitalit ishte shpërblimi më i madh për ata që e ndoqën koncertin më këmbë. Suksesi i koncertit i detyrohet interpretimit mjeshtëror të artistëve, organizimit të shkëlqyer të ALAR-it, por edhe muzikës shqiptare, vlerave të saj në një dialog me kulturën europiane. 

Gazeta Dielli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Mbi 236 mijë lëndë nëpër gjykatat e Kosovës në pritje për t’u zgjidhur

Fundi enigmatik i Mithat Frashërit: e helmuan a vdiq nga zemra?