in

Mustafa: S’ka favorit për kryetar të LDK-së

Kryetari në largim i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

Ai është pritur para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga gazetarët për ta pyetur lidhur me zhvillimet në këtë parti, shkruan lajmi.net.

Mustafa është pyetur se a ka dhe kush është favorit për t’u bërë kryetar i LDK-së, por Mustafa e ka mohuar një gjë të tillë.

“S’ka favorit”, tha shkurtimisht ai para gazetarëve.

Ndryshe, sot në zyrat e LDK-së ka qëndruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Abbott në Facebook ka publikuar një fotografi me kryetarin e dorëhequr të LDK-së, Isa Mustafa, teksa ka folur edhe për arsyet e vizitës së tij aty.

Ai ka thënë se përveç me Mustafën, është takuar edhe më nënkryetarin Lutfi Haziri, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, si dhe përspektivat e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këtë pasdite takova Isa Mustafën dhe Lutfi Hazirin. Diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve dhe përspektivat e ardhshme të LDK-së”, ka shkruar Abbott.

Në anën tjetër, data e 14 marsit pritet të jetë data kur do të zgjidhet kryesia e re e LDK-së.

Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit të dobët që kjo parti e mori nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

LDK-ja ka marrë vetëm 13 për qind të totalit të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe kryesia e kësaj partie janë zotuar se do t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme për ta rikthyer partinë si garuese në zgjedhje./Lajmi.net 

Lini një Përgjigje

Arrestohen edhe 9 persona të involvuar në subvencionet e bujqve

Kryesia e LDK-së propozon 14 marsin si datë për zgjedhjen e kryetarit