in

Mustafa: Enver Maloku, intelektual, publicist dhe gazetar që punoi për një shtet të lirë dhe demokratik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar  22-vjetorin e vrasjes së veprimtarit Enver Maloku, i cili ka qenë edhe shef i Qendrës për Informim të Kosovës.

“Në natën e acartë të 11 janarit 1999, tinëzisht ia ndalën punën dhe angazhimin Zërit të Lirisë, Enver Malokut. Ata që nuk e deshtën çlirimin e Kosovës, vranë veprimtarin Enver Maloku, por asnjëherë nuk e vranë dhe nuk e ndalën veprën e tij të madhe.

Enver Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës që nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealet e mëdha për një shtet të lirë dhe demokratik.

I pazëvendësueshëm është kontributi i tij në drejtimin e Qendrës për Informimin e Kosovës e cila gjatë viteve të 90-a shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve, e që përmes informacioneve palëkundur, fuqishëm dhe me guxim të jashtëzakonshëm në kohën e okupimit serb, informoi dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar mbi veprimet e regjimit të Milosheviqit për krimet e rënda dhe tragjike që po ndodhnin në Kosovë.

Enver Maloku mbetet model i shkëlqyeshëm i gazetarëve dhe atdhetarëve të Kosovës, që pa asnjë ngurrim, me një përkushtim dhe vendosmëri të pafund dhe me dashuri ndaj vendit, punuan pa ndalur për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Njerëzve të mëdhenj si Enver Maloku, u shënohet vetëm data e lindjes, sepse ata lindin për të mos vdekur kurrë.

Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë.

Ashtu siç e quante Presidenti Historik Ibrahim Rugova, qoftë i përjetshëm kujtimi, për Zëdhënësin e Pavarësisë, Enver Malokun!”

Lini një Përgjigje

Londra kërkon nga Tito lirimin e Gani Kryeziut

Kurti: Ipeshkvi Sopi, misionar i bashkëjetesës i paqes, pajtimit e pavarësisë së kombit tonë