Eksperti i FOCUS Thomas Jäger, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja
Rusia dhe SHBA po negociojnë rendin e sigurisë në Evropë dhe fatin e Ukrainës. Kabinetet rreth ish-kancelares Angela Merkel kanë kontribuar në faktin se BE nuk mund të përfaqësonte efektivisht interesat e saj. Putini tani po vepron pa skrupull – sepse po i shfrytëzon rrethanat.
Shtetet e BE-së detyrohen të shikojnë se si Rusia dhe SHBA do ta negociojnë rendin e sigurisë në Evropë . Herën e fundit që ndodhi kjo, në Jaltë në vitin 1945, Evropa u nda. Pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet evropiane ishin të rrënuara për tokë dhe u dominuan nga fuqitë nga lindja dhe perëndimi.
Kështu shumë lehtë mund të ndodhë sërish në vitin 2022. Megjithatë, ka një ndryshim: sot shtetet e pasura të BE-së janë fajtorë për pafuqinë e tyre politike. Në veçanti, katër kabinetet e Merkelit nuk kanë bërë asgjë, për të pajisur BE-në për të përfaqësuar efektivisht interesat e veta.
“Ne nuk duam dhe nuk duhet të jemi një spektator i paangazhuar”
Përfaqësuesi i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell pranon hapur se, shtetet e BE-së janë plotësisht të varura nga SHBA-ja për t’u dëgjuar zëri i tyre në bisedimet me Rusinë, që do të mbahen në mes të janarit. Vetë BE-ja nuk është e ftuar në tryezë.
Së pari, Rusia planifikon të zhvilloi bisedime dypalëshe me SHBA-në më 10 janar. Pastaj dy ditë më vonë do të zhvillohen bisedimet shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s, në të cilat SHBA-ja është fuqia dominuese dhe e vetme e aftë ushtarakisht. Dhe së treti bisedime me OSBE-në, e cila është në gjendje të veprojë në kriza serioze vetëm nëse bien dakord Rusia dhe SHBA.
Në një bisedë me “Die Welt”, Borrell kërkoi që evropianëve t´u dëgjohet zëri i tyre, në diskutimet për rendin evropian të sigurisë. “Ne nuk duam dhe nuk duhet të jemi kalimtarë, që të tjerët të marrin vendime mbi fatin e tyre,” tha Borrell.
“Nëse Moska dëshiron të bisedoi për arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe garancitë e sigurisë nga janari, siç është paralajmëruar, atëherë kjo nuk është vetëm çështje e Amerikës dhe Rusisë. BE-ja duhet të jetë e pranishme në këto negociata; negociatat e tilla kanë kuptim vetëm nëse zhvillohen në koordinim të ngushtë dhe me pjesëmarrjen e BE-së.
Moska dëshiron që Rusia dhe SHBA-ja “të ndajnë sferat e tyre të ndikimit ndërmjet tyre. Rusia dëshiron të negociojë arkitekturën evropiane të sigurisë, pa përfshirë Bashkimin Evropian – kjo është absurde. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Asgjë nuk mund të vendoset për ne, pa qenë edhe ne pjesëmarrës aty. ”Nuk duhet të tolerohet që të ndodhë një Jalta 2 – por si duan shtetet e BE-së që ta parandalojnë këtë? Askush atyre, nuk u kërkon leje.
Dhe ata nuk mund ta shmangin vetë këtë zhvillim. Kjo do të mund të bëhej, vetëm nëpërmjet SHBA-së dhe ato do të detyrohen që të paguajnë një çmim për këtë. Impotenca e politikës së jashtme, mund të jetë shumë e shtrenjtë për BE.
Zona e ish Traktatit të Varshavës, thuhet se do të jetoj nën dominimin rus
Fakti që presidenti rus Putin, aktualisht po luan pamëshirshëm në letrat e tij dhe po i prezanton Perëndimit dy traktate për pranim të tyre, përndryshe ai është i gatshëm të godasë ushtarakisht, është thjesht sepse mundet. Ushtarakisht, politikisht dhe diplomatikisht ka ai mundësinë e mbizotërimit dhe përshkallëzimit. Nëse përgjegjësit politik perëndimorë, do të kishin shfaqur interes për këto çështje, shumë lehtë do të mund ti kishin vërejtur, se si do të zhvilloheshin gjërat.
Për shkak se kjo situatë tani është krijuar në Ukrainë – në shtatë vitet e fundit, duhet pasur parasysh që asnjë nga këto gjëra, nuk vjen brenda natës – që është e ngjashme me plejadën e konfliktit në Gjeorgji në 2008. Sapo qeveria ukrainase shfaq dëshirën se dëshiron të qeverisë përsëri territorin e saj lindor, rajonin e Donbasit, lëshohet arsyeja për një konflikt ushtarak.
Fakti që këshilltari për një kohë të gjatë i Merkelit, Christoph Heusgen, tani po flet për Rusinë që shfaq “dëshirën për t’u zgjeruar” dhe Rusia është në kërkim të një “rasti për të pushtuar” ngre pyetjen se, çfarë këshille për politikën e jashtme i dha ai kancelares Merkel, kur ajo bllokoi rrugën e Ukrainës për në NATO në vitin 2008. Në çdo rast, Presidenti Putin e bën të qartë se, Ukraina është vetëm balon testues.
Sipas tij bëhet fjalë për ish republikat sovjetike – se kjo fjalë është ende aktuale! – Putin pëpiqet të dominojë dhe t´i ndaj shtetet e NATO-s të Evropës Lindore, nga shtetet e NATO-s të Evropës Perëndimore. Në fund, të paktën insiston ai që, zona e ish Traktatit të Varshavës duhet të jetojë nën dominimin rus dhe Evropa duhet të shkëputet nga SHBA.
Sepse, sipas përllogaritjes dhe kalkulacionit të Putinit, këto do të përqendrohen më pas në problematikën e oqeanit Paqësor dhe mosmarrëveshjet me Kinën . Nuk mund të parashikohet, se si do të organizoheshin më pas vendet e Evropës Perëndimore.
Franca dhe Gjermania janë fajtorët kryesor
Kushdo që ka shkaktuar dëmin, nuk duhet të aludohet në tallje shqetësuese për këtë. Në revistën “Foreign Affairs” Dmitri Trenin ia atribuon përgjegjësinë e përbashkët për situatën aktuale Gjermanisë dhe Francës , të cilat për vite me radhë, nuk kishin mundur ta bindin Ukrainën të bashkëpunojë.
Trenin shkruan: “Franca dhe Gjermania kanë penguar përpjekjet e tyre për të gjetur, një zgjidhje diplomatike për bllokimin midis Rusisë dhe Ukrainës. Evropianët, të cilët garantuan për marrëveshjet e Minskut të 2014 dhe 2015, të cilat supozohej të sillnin paqe në rajon, patën pak sukses në bindjen e ukrainasve, për të arritur një marrëveshje.
Presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier, në atë kohë ministër i Jashtëm, as që mund ta bindte Kievin të pranonte një kompromis, që do t’i bënte të mundshme zgjedhjet në rajonin e Donbasit duke zbatuar masivisht interesat e sigurisë.
Nga pikëpamja ruse, për të goditur ushtarakisht duhet të plotësohen pesë kushte
Në revistën “Foreign Policy”, Eugene Chausofsky vlerëson se rreziku ushtarak në kufirin perëndimor të Rusisë është disi më i ulët se sa shumë vëzhgues të tjerë atë e paraqesin, sepse, sipas analizave të tij, Rusia po vepron me më shumë kujdes duke e shmangur rrezikun.
Nga pikëpamja ruse, për të goditur ushtarakisht duhet të plotësohen pesë kushte: “1) shkaqet; 2) mbështetja lokale; 3) reagimi i pritshëm ushtarak; 4) fizibiliteti teknik; dhe 5) kosto relativisht të ulëta të pritshme politike dhe ekonomike, veçanërisht kur bëhet fjalë për përgjigjet joushtarake ndaj një pushtimi, si sanksionet ose kufizimet diplomatike.
Të gjitha ato u përmbushën kur Rusia marshoi kundër Gjeorgjisë në 2008 dhe pushtoi Krimenë në 2014. Ndryshe tash është me situatën aktuale në Ukrainë. Mund të imagjinohet që vlerësimet individuale mund të ndryshojnë, për shembull mbështetja lokale rritet përmes masave hibride, ose qeveria ukrainase ofron një rast.
Pyetja se cilat kosto politike dhe ekonomike shkaktohen dhe nëse kjo i tejkalon përfitimet, ende nuk ka përfundimisht përgjigje. Diskutimet e ardhshme mund të ndikojnë në këtë.
Ka dy rreziqe për vendet e BE-së
Pra, ekzistojnë dy rreziqe për shtetet e BE-së. Së pari, një konflikt ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës do të trondiste NATO-n dhe BE-në dhe në varësi të reagimeve, shtetet individuale do të riorganizonin interesat e tyre.
Së dyti, një marrëveshje politike në të gjithë BE-në do të tregonte pafuqinë e BE-së globalisht dhe të çdo vendi të BE-së dhe do të shkaktonte një delegjitimim të rendit politik. BE-ja tashmë është goditur më shumë nga zhvillimet e tashme, sesa po e kuptojnë qeveritë e shteteve të BE-së.
Rreth ekspertit
Prof Dr. Thomas Jäger që nga viti 1999 është ligjërues mbi Politikën Ndërkombëtare dhe Politikën e Jashtme në Universitetin e Këlnit. Interesat e tij kryesore kërkimore janë marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe politika e jashtme amerikane dhe gjermane.