in

Ministria e Kulturës mbron ndërhyrjet e TIKA-s në Shatërvanin te Xhamia e Çarshisë

“Shatërvani i vjetër”, siç figuron zyrtarisht monumenti, është kthyer në avdeshanë dhe disa prej ekspertëve të trashëgimisë, nuk kanë dilema për tjetërsimin e transformimin e tij. Por dilemë se ai nuk është transformuar s’ka as Ministria e Kulturës. “Shatërvani në oborrin e Xhamisë së Gurit nuk është transformuar”, shkruhet në përgjigjen e MKRS-së

Për Ministrinë e Kulturës, “Shatërvani i vjetër” si monument nuk është transformuar. Për këtë institucion shtimi i pllakave të mermerta, nxjerrja e çezmave për abdes, ulëset përreth çezmës publike, nuk kanë të bëjnë me transformim.

“Shatërvani në oborrin e Xhamisë së Gurit nuk është transformuar. Të gjitha pjesët origjinale autentike, pra, pllakat e gdhendura origjinale të mermerit janë ruajtur të gjitha, në formën dhe dimensionet origjinale, si dhe duke u kthyer në pozitën e njëjtë ekzistuese, si para intervenimeve”, shkruhet në përgjigjet që Ministria e Kulturës ia ka dhënë KOHËS të premten.

“Shatërvani i vjetër”, siç figuron zyrtarisht monumenti, është kthyer në avdeshanë dhe disa prej ekspertëve të trashëgimisë nuk kanë dilema për tjetërsimin e transformimin e tij.

Këtë e ka bërë Agjencia shtetërore turke TIKA me miratimin e institucioneve të Kosovës.

Në dokumentet që posedon KOHA, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, TIKA kishte kërkuar që Shatërvani edhe të mbulohet. Por një gjë e tillë nuk ishte lejuar. “Rekomandimet e Komisionit Profesional Shqyrtues…” është titulli i dokumentit të datës 23 gusht, 2022.

“Të mos realizohet mbulesa e Shatërvanit, kjo në mungesë të dokumentimit të gjendjes burimore, si dhe në mungesë të argumentimit qoftë edhe foto-dokumentimit, nëse ndonjëherë në ndonjë periudhë kohore Shatërvani ka qenë i mbuluar”, shkruhet në rekomandimin e Komisionit drejtuar ish-drejtorit të IKMM-së, Ismet Hajrullahu. Komisioni kishte në përbërje: Avni Manajn, Qëndresa Halitin, Merita Augustinin, Yllka Paçarizin, Premtim Kastratin, Visar Sadikun, Luljeta Agushin dhe Alban Kastratin. Aty nuk rekomandohet të mos shtohen ulëset që kanë zënë vend tashmë përreth Shatërvanit. Për ato ulëse bashkë me krejt ndërhyrjet që janë bërë, vendimi ishte miratuar në dhjetorin e vitit 2019. Për dy ditë, KOHA ua ka kërkuar institucioneve edhe atë vendim.

Për krejt këto komunikime, Ministria e Kulturës ishte e njoftuar. Asokohe ministër Kulture ishte Kujtim Gashi.

Drejtues institucionesh të trashëgimisë kulturore, arkeologë, veteranë e profesorë universitarë të kësaj fushe, kanë thënë se bëhet fjalë për humbje të autenticitetit edhe në funksion, për MKRS-në gjendja nuk është kësisoj.

“Punimet e platesë janë realizuar sipas projektit të aprovuar nga Komisioni Profesional Shqyrtues. Institucionet kompetente të MKRS-s, IKMM-së dhe QRTK-së kanë mbikëqyrë realizimin e punimeve të parapara sipas projektit të aprovuar”, shkruhet në përgjigjet e Ministrisë së Kulturës. As të premten, pos Ministrisë, asnjëri prej institucioneve tjera të përfshira në këtë projekt – IKMM-ja, Komuna e Prishtinës, TIKA dhe Bashkësia Islame e Kosovës – deri më tash nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Të premten me një tekst autorial transformimin e Shatërvanit e ka kundërshtuar profesori universitar i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore, Arsim Canolli. Ai ka shkruar se TIKA ka bërë edhe punë të mira në Kosovë. “Por, duket se TIKA ka strategji silente fetare. Duket sikur funksionon njësoj sikurse Kisha Ortodokse Serbe: gjithnjë nën rrogoz, duke shtyrë agjendën e vet fetare”, ka shkruar ai. Sipas tij, Shatërvani i kësaj xhamie ka qenë pjesa më profane e saj, sepse “ka qenë gjithmonë ‘vend sakral i ujit’”.

“Qytetarët, i madh e i vogël, kanë pirë ujin lirshëm aty. Nuk e ka namin e Shatërvanit të Prizrenit, por ka pasur nam të madh në Prishtinë. Ky shatërvan ka qenë një lloj ‘kroi i kryeqytetit’, ka shkruar ndër të tjera në artikullin e titulluar “Shatërvani te Xhamia e Çarshisë në Prishtinë nuk mund të tjetërsohet”, botuar në KOHA.

Përderisa Xhamia e Çarshisë ishte mbyllur në viti 2011 për restaurim, puna ishte ndërprerë disa herë. Shtatë vjet më vonë TIKA bashkë me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkësinë Islame të Kosovës kishin nënshkruar memorandum bashkëpunimi për ta restauruar Xhaminë. Dokumenti i vitit 2018 kishte nisur të zbatohej më 2021.

Në projekt ishte përfshirë edhe “Shatërvani i vjetër” si monument i veçantë, që është nën mbrojtje prej viteve ’70. Organizata turke ka konservuar disa pjesë të tij. Por kur e ka kthyer në vend, ka ndërhyrë duke e tjetërsuar. Në majin e vitit 2022, Shatërvani qe zhvendosur dhe asokohe ishte thënë se pos restaurimit po shqyrtoheshin mundësitë e hapjes së një sonde, pasi dyshohej se aty mund të jetë një lokalitet shtresash të tjera kulturore. Sonda s’u hap.

E tjetërsimi është bërë me leje të shtetit, përkatësisht me aprovim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Janë nxjerrë disa çezma jashtë rrethit të mermertë, është bërë një koritë uji dhe janë shtuar ulëset në mënyrë që aty të kryhet riti i avdesit.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, në cilësinë e historianit, kishte thënë se restaurimi i tillë është i papranueshëm. Sipas Rexhës, bëhet fjalë për një monument që ishte krua publik në qytet. Ka kujtuar se si nxënës ka pirë ujë shpesh aty.

“Tash një monumenti të mbrojtur me ligj t’i ndërrohet identiteti e destinimi nuk është në rregull. Nuk jemi kundër avdeshanës. Le të bëhet diku tjetër, por jo t’i ndërrohet identiteti monumentit”, kishte thënë ai.

Arkeologu veteran Haxhi Mehmetaj ka qenë edhe drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prishtinës.

Ai kishte thënë se Shatërvani i Vjetër është përbërë prej pllakave ilustrative dhe destinimin e parë e kishte çezmë publike për krejt qytetarët, përfshirë edhe besimtarët.

“Tash është tjetërsuar krejtësisht, duke humbur autenticitetin e duke u bërë avdeshanë. Është tjetërsuar nga ana e brendshme dhe e jashtme. Kjo nuk lejohet”, kishte thënë ai.

Restaurimi i objektit, që njihet edhe si Xhamia e Gurit, është dashur të finalizohej qysh më 2013. Për këtë janë shpenzuar mbi gjysmë milioni dhe punimet kishin mbetur pezull sherri i një keqkuptimi midis Komunës së Prishtinës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Fillimisht, për ta kthyer në origjinalitet ishte zhveshur nga fasada. Ishte paraparë që restaurimi të përfundonte në vitin 2013. Koha ditore

 

Lini një Përgjigje

Reagim i grupit të mërgimtarëve nga Gjermania ndaj intervistës së Prof. Frashër Demajt, në OXIGJEN

Lojërat partizane Enver Hoxha-Fadil Hoxha