Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë gjithë ditës së sotme kur po mbahen zgjedhjet për kryetar komune në Podujeve dhe atë në Mitrovicën e Veriut, ka qëndruar në këto dy qytete. Ai ka monitoruar edhe disa qendra votimi për të parë nga afër sesa po respektohen masat ndaj COVID-19, gjatë votimit të qytetarëve. Po ashtu ministri Zemaj ka folur edhe për situatën e rënduar dhe numrit të madh të të infektuarve me koronavirus, po edhe raste të shumta të vdekjes.
Zemaj në një intervistë për Arbresh.info ka thënë se të hënën do të shqyrtohen masat e reja për Covid-19.
“Ditëve të fundit është vendosur pragu i stabilitetit të infeksionit edhe pse me numër të lartë të rritur ashtu edhe siç e keni parë. Të hënën pasdite do të ulemi bashkërisht me Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik dhe me bordin dhe do të shohim nëse eventualisht është e nevojshme që të ndërmerret ndonjë masë që na garanton javën tjetër që e ul infeksion, por edhe ul rastet spitalore”, ka thënë Zemaj.


