Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti një tubim, në të cilin u mor vendim që Mimoza Kusari-Lila të ushtrojë detyrën e kryesuesit të Grupit parlamentar derisa të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm.
“Mimoza Kusari-Lila është ushtruesja e detyrës së Kryesuesit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur sot, nga deputetët tanë ajo u votua për ta ushtruar këtë detyrë deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Nga 51 deputetë të pranishëm, me 45 vota PËR, 2 vota KUNDËR, 3 vota ABSTENTIM dhe 1 e zbrazët, znj Kusari-Lila u votua për drejtimin e grupit parlamentar.
Sipas Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Shefi i Grupit Parlamentar votohet nga anëtarët e grupit parlamentar dhe zgjedhet nga Këshilli i Përgjithshëm.
Mimoza Kusari-Lila është deputetja që sidomos në legjislaturën e fundit ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në adresimin e çështjeve të rëndësishme për ne dhe për vendin. Asaj i urojmë sukses në detyrën dhe përgjegjësinë e saj të re”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.