Meqenëse punët e Shqipërisë prekin nga afër interesat e vendeve përreth dhe meqë Franca nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj politikës së Ballkanit, unë do të marr guximin të kthehem në një pikë të cilën e preka në letrën time të mëparshme të cilën e keni botuar tek L’Ere Nouvelle (Epoka e Re) e 10 janarit 1921.
Bëhej fjalë për vështirësitë që has Shqipëria nga fqinji verior dhe lindor, pra Serbia.
Komisioni për refugjatët shqiptarë sapo ka hartuar një raport të gjatë për atë që ka ndodhur gjatë gushtit dhe shtatorit të kaluar, në kufirin serb, në territorin shqiptar. Është një listë e zymtë; faktet nuk u morën vesh nga publiku evropian, falë heshtjes kokëfortë që mban shtypi.
Sipas këtij dokumenti – autenticiteti dhe vërtetësia e të cilit janë të garantuara – 132 fshatra shqiptare u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht nga serbët: në këto fshatra, kishte 6 mijë e 344 shtëpi të bëra hi, plus 110 mullinj, 106 pazare dhe dyqane, 50 xhami dhe 18 teqe (vende të shenjta myslimane); 55 mijë e 68 banorë u detyruan të largohen nga zonat e shkatërruara dhe të strehohen në afërsi të Tiranës. U humbën (u rrëmbyen ose u shkatërruan) 10 milion 230 mijë 740 kilogram drithëra, si dhe 52 mijë e 227 krerë dele dhe dhi, 584 qe dhe lopë, 1 mijë e 552 kuaj.
Është një pasuri e madhe. Ne gjithashtu dënojmë humbjen e 742 personave të vrarë si vijon: 240 u therën (përfshirë 39 gra dhe 39 fëmijë), 201 u pushkatuan (përfshirë 37 gra dhe 126 fëmijë), 300 u dogjën të gjallë (përfshirë 146 gra dhe 68 fëmijë).
Përpara se të mbyll letrën time, dua të kujtoj se qeveria dhe i gjithë populli shqiptar janë të bindur për nevojën e të jetuarit bazuar në marrëdhënie të mira me fqinjët dhe për të mbajtur marrëdhënie korrekte në mënyrë që jeta dhe prosperiteti i popujve të tyre të përçohen në mënyrë të barabartë të njëjtat parimet dhe ide.
LUMO SKENDO.
*Ky shkrim i Mid’hat Frashërit u botua tek gazeta L’Ère Nouvelle (Epoka e Re), 14 shkurt 1921, faqe 3. Përkthyer nga frëngjishtja.