in

Meta porosit të rinjtë të ndalin shpopullimin e Shqipërisë

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e 29 Nëntorit, ditës së çlirimit të Shqipërisë, bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Duke iu drejtuar gazetarëve ai theksin e posaçëm e vuri te shpopullimi i madh dhe ikja e të rinjve nga Shqipëria.

 “Sot të rinjtë e Shqipërisë kanë një detyrë shumë të madhe, të kenë vetëbesim dhe angazhim dhe të marrim përgjegjësi që të ndalin shpopullimin e të rinjve dhe shqiptarëve dhe të bëjnë të mundur që edhe ata që kanë ikur të kthehen në vendin tonë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ai tha se qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatet e tyre për ndryshimin që kërkojnë dhe të mos presin nga askush.

“Populli shqiptar ka treguar që di të ngrihet mbi përçarjet dhe kërkojnë t’ia bjerrin atdhedashurinë e besimin tek e ardhmja, por jam optimist që shqiptarët e kanë të qartë që kërkohet ndryshim i jashtëzakonshëm, të marrin në dorë fatet e tyre, nuk kanë nga të presin”.

Duke shprehur mirënjohjen për dëshmorët që kanë luftuar për çlirimin e vendit, kreu i shtetit solli në vëmendje shkrimet e Margarita Tutulanit, si një mesazh për edukimin patriotik të të rinjve.

“Përkulemi para Qemal Stafës, Vojo Kushit dhe Margarita Tutulanit dhe yjeve e margaritarëve që dhanë jetën për të treguar pavdekësinë e Shqipërisë si shtet i lirë dhe i pavarur dhe sot me kujtohen ato që i shkruante Margarita Tutulani vëllait të saj, i cili e pyeste; motër, po për çfarë na duhet atdheu? Ajo i përgjigjej: Vëllaçko na duhet që të jemi të lirë. Ky mesazh vjen nga një edukim patriotik i të rinjve dhe të rejave dhe sot jo vetëm t’ i kujtojmë këta dëshmorë e veteranë që kanë luftuar për çlirimin, por edhe t’i kushtojmë rëndësi edukimit patriotik të të rinjve”.

I pyetur në lidhje me debatin për datën e çlirimit, Meta u përgjigj se 29 nëntori është miratuar nga historia dhe asnjë përpjekje nuk mund të eklipsojë Luftën Nacional-Çlirimtare.

“Për mua nuk ekziston një debat për datat. Data 29 nëntor është datë e provuar, e argumentuar qartë nga historia dhe nuk dua të marr këtë rol, nuk ka asnjë përpjekje që mund të eklipsojë Luftën Nacional Çlirimtare. Një pjesë e madhe u pushkatuan se kishin qëllime të tjera të kundërta me pushtetin. Ka qenë një luftë që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Edhe sot ekzistojnë ligje absurde lufte për Shqipërinë. Falë gjakut e sakrificave shpëtuam shtetin tonë dhe të gjithë duhet të jemi mirënjohës për atë epope të shkruar me gjak”.

Lini një Përgjigje

Serbia hakmerret ndaj Malit të Zi, e dëbon ambasadorin malazez

Arrestohen tre veta lidhur me vrasjen e djeshme në Shkodër