Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cilësoi Vuçiqin “këlysh të Rusisë”, që bashkë me Moskën zyrtare po përpiqet ta minojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. Reagimi i ministres u bë pasi Vuçiqi ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të shpërthej papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit, tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan”, ka deklaruar Haradinaj. Ajo e ka quajtur Vuçiqin këlysh të Rusisë, meqë, sipas saj, ai është dorë e zgjatur e propagandës ruse për minimin e sigurisë në Ballkan.
“Politika dhe qasja e “këlyshit të Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n”, ka shkruar tutje udhëheqësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme.