in

Më shumë mallra nga Serbia se nga Shqipëria?!

Rama-Kurti: Për inat të njëri-tjetrit blejnë mallra nga serbia

Gjatë vitit 2022 në Kosovë kanë hyrë mbi 5 miliardë euro mallra, prej të cilave 371 milionë euro vetëm nga Serbia. Importet nga Serbia në vitin 2022 janë rritur me gati 21.7. Nga Shqipëria, Kosova ka importuar mallra me vlerë 255.3 milionë euro, ose më pak se nga Maqedonia e Veriut

Ballkani i Hapur mund të kritikohet si projekt politik në letër, ose në teori, por praktikisht në realitet rezulton e kundërta: Kosova është duke u hapur edhe më tepër në tregjet serbe ashtu si edhe me çdo vend tjetër të rajonit, përveç Shqipërisë.

Shifrat e vitit që lamë pas tregojnë se “varësia” e Kosovës nga mallrat e Serbisë sa vjen e rritet, çka provon edhe një herë tjetër thënien e famshme se ekonomia dhe tregtia nuk e njohin fjalën “patriotizëm”. Për të konkurruar sa më mirë në tregjet mbarëkombëtare, rajonale dhe më gjerë, është i nevojshmëm prodhimi dhe prezantimi me produkte sa më cilësore dhe me çmime po aq konkurruese. Kosova gjatë vitit 2022 ka importuar mallra në vlerë prej 371.6 milionë euro nga Serbia, e cila sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës llogaritet të jetë partneri i katërt tregtar më i madh.

Në vitin e 2021 Kosova nga Serbia kishte importuar mallra në vlerë prej 305.4 milionë euro, duke shënuar një rritje të importeve nga tregjet serbe me rreth 21.7% apo 66 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, mallrat nga Serbia përbëjnë rreth 6.63% të totalit të importeve që ka pasur Kosova gjatë vitit 2022, ndërsa në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë euro.

Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia. Në vitin 2019 eksportet nga Serbia nuk shkonin më shumë se 4.4 milionë euro, kurse në vitin 2020, importet shkuan në 173.4 milionë euro derisa në vitin 2021 Kosova nga Serbia importoi mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe – Besa, besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj bën thirrje vazhdimisht që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër tha se politikat e gabuara të qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë prezencën ekonomike të Serbisë në Kosovë. – “Gjatë vitit 2022, Serbia ka rritur importet për plotë 70 milionë euro. Me 370 milionë euro import në vit, Serbia gjatë mandatit të kësaj qeverie, ka arritur rekord të ri. Politikat e gabuara të Qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë prezencën ekonomike të Serbisë në Kosovë. Ankesat për të kaluarën nuk përmirësojnë ekonominë dhe nuk I zgjidhin problemet e së ardhmes. Kemi nevojë për veprime konkrete dhe jo premtime e fjalë boshe!”.

Në një raport të publikuar këto ditë nga GAP del se për sa i përket importit të produkteve, pjesëmarrja e Turqisë në bilancin tregtar është 14.98 për qind apo 839.2 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 605.2 milionë euro apo 10.8 për qind, Kina me 545.6 milionë euro apo 9.74 për qind, Serbia me 371.6 milionë euro apo 6.63 për qind dhe pas tyre vjen Greqia me 5.49 për qind. Maqedonia e Veriut është partneri tjetër më i madh tregtar nga ku Kosova importon produkte me vlerë 281.2 milionë euro apo 5.02 për qind, edhe pse një vend më i vogël se Shqipëria. Para vendit tonë vjen Italia me 271.4 milionë euro apo 4.84 për qind. Dhe më pas vijnë importet nga vëllezërit shqiptarë, pra nga Shqipëria, me 255.3 milionë euro apo 4.56 për qind. Nga Sllovenia, Kosova ka importuar 243.7 milionë euro apo 4.35 për qind dhe Arabia Saudite 86.2 milionë euro apo 3.88 për qind të fuqisë tregtare për import.

Dogana e Kosovës ka treguar se të hyrat e mbledhura për në vitin 2022 ishin 1 miliard e 531 milionë euro ose 11.23 për qind më shumë. Vlera e mallrave të importuar është 5 miliardë e 603 milionë euro apo 20 për qind më shumë se viti 2021. Nga ana tjetër vlera e mallrave në eksport ishte 869.5 milionë euro.

Në vend të thirrjeve patriotike dhe zhurmës politike, është koha që Kosova dhe Shqipëria të bëjnë një bilanc real të ekonomisë së tyre, të aftësive për të konkurruar me të tjerët dhe më kryesorja, për të prodhuar, si dhe hartimit të një strategjie të përbashkët që duhet ndjekur, ndryshe patriotizmi do të “vlojë”, kurse ekonomia e dy vendeve tona do të lëngojë.   /a.m/Liberale.al/ 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

A rrezikon Erdogan në zgjedhjet e 14 majit

Vip, Vip urra: Hoxhollarët me Big Brother të vetin !