Policia bjelloruse arrestoi më shumë se 1.100 njerëz më 15 nëntor gjatë protestave që u mbajtën në të gjithë vendin, për të kërkuar dorëheqjen e Alyaksandr Lukashenka dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale. Zgjedhjet presidenciale u mbajtën në muajin gusht, mirëpo opozita dhe vendet perëndimore kanë thënë se ato ishin të manipuluara.
Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se shumica e arrestimeve u kryen në Minsk, ku forcat e sigurisë përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë mijëra demonstrues. Ky është numri më i lartë i arrestimeve, në një ditë të vetme, që nga fillimi i protestave. Numri i përgjithshëm i njerëzve të ndaluar që nga gushti besohet të jetë mbi 25.000, sipas Vyasna.
Të paktën 23 gazetarë – përfshirë katër kontribues në Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë ishin midis atyre që u arrestuan në Minsk dhe qytete të tjera, sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve.
Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila ka thënë se votimet ishin të manipuluara në favor të Lukashenkas dhe e konsideron veten fituese të ligjshme, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për demonstruesit.