in

MASHTI dhe SBASHK-u biseduan për përfundimin e vitit shkollor

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBAShK), ku është pritur nga kryetari Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen aktuale në arsim dhe procesin mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, si dhe vështirësitë e ndryshme me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit në këtë periudhë.

Ministrja falënderoi të gjithë anëtarët e SBAShK-ut, mësimdhënësit, dhe stafin tjetër për punën e bërë dhe bashkëpunimin me MAShTI-n dhe institucionet tjera për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja Nagavci tha se kthimi në shkolla është synim i Ministrisë duke uruar që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejtë dhe të kthehen të gjithë nxënësit në shkolla.

Ajo shtoi se aktualisht Ministria e Arsimit është në një fazë të punës intensive për organizimin e vlerësimeve të jashtme kombëtare dhe nderkombëtare të nxënësve dhe të gjitha aktiviteteve tjera për ta përmbyllur këtë vit të vështirë në arsim. Ministrja ka përmendur edhe rëndësinë e mbajtjes së mësimit plotësues për çka tha se do të kërkojë nga komunat që ta bëjnë një plan për realizimin e këtij procesi.

Gjithashtu, kërkoi që krahas mësimit të respektohen edhe masat kundër pandemisë si dhe të bëhet dezinfektimi i shkollave. Në këtë pikë, shprehu brengën që ish-Qeveria Hoti mjetet që i ka ndarë për shtesa të mësimdhënësve i ka marrë nga fondi që ishte paraparë për zbatimin e Masterplanit gjë që e ka vështirësuar mundësinë për dezinfektim të godinave shkollore, sigurimin e pajisjeve higjienike, sigurimin e mësimdhënësve zëvendësues e blerjen e pajisjeve të teknologjisë.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin edhe më tutje në procese të rëndësishme në arsim, por edhe në tejkalimin e vështirësive dhe përmbylljen me sukses të vitit shkollor.

Në takim u bisedua edhe për mundësinë e vaksinimit të mësimdhënësve, në veçanti atyre që kanë probleme shëndetësore, pas arritjes së kontingjentit të dytë të vaksinave.

Lini një Përgjigje

Kosovarët shpenzuan 10 milionë euro për vikend në Shqipëri dhe Mal të Zi

Putini deshi të investojë miliarda, por investorët po ikin prej tij