Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale pas deklaratës së Presidentit të Serbisë, Vuçiç, se një konflikt si i Nagorno Karabakut mund të ndodhë në Kosovë, nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.
“Deklarimi i Presidentit të Serbisë për karakterizimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorni Karabakut është i papërgjegjshëm!
Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vuçiq përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë” (!)
Deklarimi i Presidentit serb për “konfliktin e ngrirë” është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian.
Mendje të ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë e shqiptarëve në disa shtete në se dikush i shkon pas idesë se skenarit të konfliktit. Atij do t’i dihet fillimi, por jo fundi!”, përfundon postimi i ministrit Majko.