Televizioni Zviceran jepte pamje të ditës në shtëpinë e Jasharëve. Ademi e Hamza në odën e burrave, një dhomë e rregulluar mirë, e pastër, sipër tyre në mur qëndronin tri fotografi në kornizë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova. Kamera u përqendrua gjatë në këto tri portrete, duke e transmetuar në off fjalën e Adem Jasharit. Në intervistë ai e tha se këto tri personalitete janë më të rëndësishmet për kombin
5-7 mars 1998
Bombardimet e katundeve të Dukagjinit me artileri të rëndë u bënë punë rutine. Ushtria serbo-malazeze i rrafshonte katundet, pastaj e ndërsente policinë të vriste ndonjë të mbetur gjallë. Refugjatët dyndeshin herë andej, herë këndej. Mijëra njerëz, gra, burra, fëmijë e pleq kalonin natën pa kulm mbi kokë. Gjendja u bë kritike, na vinin raportet në redaksi. Nuk dije cilin të përzgjedhje më parë, sepse të gjitha raportet ishin me peshë, të rënda, ogurzeza që të linin pa frymë. Të vrarë e të plagosur, të gjymtuar apo të braktisur. Druhej për masakra, por nuk arrinte askush të depërtonte e të konstatonte gjendjen. Druhej edhe për përdhunime të policisë e ushtrisë serbe. Sikur të mos mësoheshim me këto lajme, ishte rrezik të na godiste ndonjë sulm në zemër. Ose të të binte pika në tru.
Ngjarjet rridhnit me shpejtësi marramendëse, megjithatë jo aq shpejt sa donim ne. Ngurrimet e faktorit ndërkombëtar për t’i përshpejtuar gjërat në atë intensitet që donim e bënin nervoz faktorin politik shqiptar. Popullit ia vunë thikën në fyt forcat ndëshkuese serbe, çdo ditë pati të vrarë e të plagosur, të dëbuar e të arrestuar.
Punonim gati tërë ditën në përgatitjen e gazetës në Cyrih, kryesisht unë, Avni Bulliqi dhe Skënder Hajdari. Meqë, ishim ekip i vogël gati gjithë ditën herë përpunoja materiale, herë interesohesha për ardhjen e materialeve me modemin, herë i thërrisja me telefon në redaksinë e Prishtinës, Tiranës e selinë e QIK-ut. Ngjarjet nga Kosova ishin përplot raporte për vrasje, bombardime, djegie katundesh, tortura, rrahje. Prandaj për ta informuar opinionin e etshëm për lajmet më të reja, përpiqeshim të fusnin sa më shumë ngjarje të ditës. Njëkohësisht e përgatisnim botimin në gjuhën angleze e gjermane. Përpiqeshim të sensibilizonim opinionin e institucionet ndërkombëtare, meqë një pjesë të tirazhit në gjuhë të huaja ua dërgonim me porosi institucioneve zvicerane e shteteve të tjera në BE.
E dinim se tash dy ditë forcat serbe e rrethuan Adem Jasharin në shtëpi, e dinim se e izoluan nga bota me pajimet më vrastare të luftës. Gati asgjë nuk merrej vesh. Thashethemnaja qe edhe më e frikshme. Flitej për klithma, për vrasje për tmerre. Askush s’mund të hynte as të dilte nga shtëpia e Jasharëve.
Forcat e armatosura serbe e ndërprenë çdo mundësi komunikimi me katundin ku ai bënte qëndresë. Adem Jasharin e patën sulmuar më parë me autoblinda e njësi speciale, mirëpo u bëri ballë, duke shpëtuar nga rrethimi. Ai ishte në grupet e para të LDK-së që u stërvitën në Elbasan, dinte të luftonte, por dinte edhe të tërhiqej. Shpresonim se edhe kësaj radhe do t’ia dilte. Megjithatë, dëshmitarët thoshin se kësaj here e zunë ngushtë.
Të gjithë ishim në tension, sepse ai ishte ndër të paktët që bënte rezistencë me sukses. Druanim se mund ta pësonte, meqë serbët donin të jepnin shembull për të gjithë shqiptarët që bënin rezistencë: mësoni nga mynxyra! Ata edhe në të kaluarën për hakmarrje shuanin familje të tëra, kur burrat ua kthenin pushkën.
Ditën tjetër erdhi lajmi kobzi që Adem Jashari pas rezistencës heroike, u vra në shtëpinë e vet. Lajmi tjetër qe edhe më i rëndë, ia vranë të gjithë familjen: pesëdhjetë e gjashtë anëtarë të familjes, së bashku me të vëllain, Hamëz Jashari. Rrëfimet qenë tronditëse. Flitej për masakrime. Ishte situatë e nderë, sepse nuk flitej vetëm për vrasjen e një luftëtari, i cili ishte përgatitur të rezistonte e të vdiste. Ai u përgatit së bashku me 200 luftëtarë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve u futën ilegalisht në Kosovë të luftonin.
Qeveria e Milosheviqit me këtë masakër donte të jepte shembull të tmerrshëm. Kur e morëm lajmin në redaksi, gati mbetëm pa frymë, e shikonim njëri-tjetrin dhe nuk e besonim: u zhduk një familje! Derisa përpiqeshim të sajonim gazetën, duart na dridheshin.
Lajmi e mori dhënë. U vra Adem Jashari me tërë familjen, pas një rezistence heroike. Ishte rast i pashembullt në historinë më të re evropiane. Lajmin ua dhamë gazetave e televizioneve ndërkombëtare. Redaksitë e këtyre medieve na thërrisnin vazhdimisht. Kërkonin detaje, informacione të reja, reagimin e popullatës së katundeve përreth, reagimin e kryeqytetit, mendimin e opinionit. Qe vështirë t’ua plotësoja gjithë kërkesat, sepse ishim ekip i vogël, të stresuar e në ethe. Mezi arrinim të vinim kontakte më Prishtinën, nën darën e hekurt të ushtrisë e policisë serbe, apo të Tiranës, ku orë e çast iknin dritat.
Edhe ne kërkonim nga redaksia në Prishtinë informacione shtesë, detaje, atë që nuk ishte thënë, ndërsa duhej të thuhej. Ata kaq kishin, kaq na dhanë, thërrisnin me zë të lartë në telefon, të stresuar nga ngjarjet që po ua hanin shpirtin. Mos qofshi në lëkurën e tyre! Sikur nuk mjaftonte zjarrmia në redaksi, kërcisnin telefonat nga vende të ndryshme të Evropës e SHBA-së.
Miqtë e lexuesit kishin dëgjuar diçka, kërkonin më shumë të dhëna. Dikush nuk donte ta besonte dhe pyeste: athua të jetë gënjeshtër? Doja t’ia tumirja edhe unë mëdyshjen e tij, por kot që e gënjeja. Fatkeqësisht është e vërtetë, ia ktheja i dëshpëruar. Lufta i ka këto. Të ne po bëhet luftë, megjithëse askush nuk e pranon. Lufta brirë nuk ka. Bashkëkombësi ynë në San-Francisko e lëshonte receptorin i dëshpëruar, ose ngashërimi e mbyste.
Të nesërmen televizioni zviceran gjatë ditës e paralajmëroi një emision dokumentar për Adem Jasharin. Ekipi i angazhuar e kishte xhiruar një muaj më parë Adem Jasharin me uniformë ushtarake kamuflazhi e me mitraloz sesi ecte nëpër arat e livadhet e veta. Në mbrëmje e dhanë emisionin. E paraqitën Adem Jasharin, luftëtar të rezistencës. Ai u deklaronte autorëve të emisionit se luftonte për Kosovën e pavarur. Ai demonstronte gatishmërinë e tij që t’u kundërvihej forcave të armatosura serbo-malazeze me mitraloz e bomba dore në rrethatore. Ai fliste edhe për fqinjët serbë në katundin përballë, ndërsa xhiruesi me teleobjektiv prezantonte pamje nga ai katund. Jashari tregonte se ai nuk ka konflikt me kolonët serbë, po me qeverinë e Serbisë e me forcat e armatosura që djegin shtëpi e vrasin popullatën e pafajshme.
Televizioni Zviceran jepte pamje të ditës në shtëpinë e Jasharëve. Ademi e Hamza në odën e burrave, një dhomë e rregulluar mirë, e pastër, sipër tyre në mur qëndronin tri fotografi në kornizë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova. Kamera u përqendrua gjatë në këto tri portrete, duke e transmetuar në off fjalën e Adem Jasharit. Në intervistë ai e tha se këto tri personalitete janë më të rëndësishmet për kombin.
E ndoqëm emisionin në redaksi. Asnjëri nuk bëzante. Patëm edhe mysafirë, miq e lexues të gazetës që vinin kohë pas kohe në mbrëmje. Pamjet ndërroheshin njëra pas tjetrës. Adem Jashari tha se do të mbrohej, apo sikurse e theksoi ai, do ta mbrojë pragun e shtëpisë, sepse s’kishte ku shkonte përtej shtëpisë. Secili ka të drejtë të mbronte pragun e shtëpisë, kishte deklaruar disa herë Rugova në konferencat e shtypit. Këtë formulë e shfrytëzonte edhe A. Jashari para kamerave.
Ajo që më bëri përshtypje në fund të emisionit ishte përbërja e madhe e serbëve në realizimin teknik të emisionit. Ishte praktikë e njohur e televizioneve perëndimore, kur e angazhonin teknikën e një televizioni më të afërt nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga redaksia qendrore vinte vetëm autori i emisionit. Athua ta ketë ditur këtë fakt Adem Jashari, apo ata janë fshehur prapa emrave të tjerë. Por edhe sikur ta dinte, nuk e besoj se do t’i dëbonte, do ta vazhdonte rrëfimin e tij për luftën çlirimtare, për shpirtin luftarak. Atë që mund të mos e ketë ditur është se ky ekip i TV Beogradit mund t’ua ketë dorëzuar një kopje të emisionit Televizionit Zviceran, ndërsa kopjen tjetër shërbimit të fshehtë serb. Mbi këto xhirime mund të jetë krijuar strategjia e sulmit. Xhirimet e kapnin tërë hapësirën, oborrin, shtëpinë, dhomat e detajet e tjera.
Por mund të jenë vetëm hamendjesimet e mia.
#
Pjesë të këtij emisioni të TV Zviceran pastaj janë keqpërdorur në diasporë muaj të tërë. Shfaqej nëpër disa qendra të emigrantëve tanë, duke e përvetësuar autorësinë, ndërsa u hoqën pamjet në dhomën e Adem Jasharit, ku shihej Nëna Terezë, Skënderbeu e Ibrahim Rugova. U hoq edhe deklarata e A. Jasharit se ai kishte president Ibrahim Rugovën.
Këto pamje filmike e vlerësimin e Adem Jasharit për këto tri personalitete, dhënë Radiotelevizionit Zviceran, kurrë nuk e dhanë Radiotelevizioni i Kosovës, por nuk më kujtohet ta kenë transmetuar as televizionet tjera në Kosovë e në Shqipëri? Dokumentari është në arkivin e prodhuesit, por besoj e kanë edhe RTSH-ja e njerëzit e shumtë. Duhet ta ketë edhe RTK-ja. Pse nuk e shfaqën asnjëherë, nuk është vështirë të dihet. Adem Jasharin e pronësuan një krah politik, duke e ndërtuar “fitoren” e tyre mbi luftën e sakrifikimit sublim të Adem Jasharit.
Ai sakrifikoi familjen, ata nuk i dhanë asgjë atdheut, ndërsa morën çdo gjë. Nga libri: “Endrra e madhe”