in

Lufta s’ka të sosur për të mbijetuarit e minave në kufirin Shqipëri-Kosovë

Më shumë se 200 persona u plagosën nga minat tokësore të vendosura nga forcat serbe në kufirin shqiptarë gjatë luftës në Kosovë dhe të mbijetuarit thonë kujdesi shëndetësor joadekuat dhe problemet me riparimin e protezave po vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje.

Për Shaqir Koloshin nga fshati malor i Beles, rreth 30 kilometra në lindje të Kukësit, çdo ditë është një betejë për të qëndruar në këmbë.

Koloshi i mbijetoi shpërthimit të një mine në vitin 1999. Ai mbeti i dëmtuar rëndë nga shpërthimi, me këmbën e majtë të këputur poshtë gjurit dhe gjysmën e shputës së këmbës së djathtë. Ai ecën me vështirësi me ndihmën e dy patericave dhe i duhet të sajojë vetë protezat që i mundësojnë lëvizjen.

Prej më shumë se tre vjetësh, ai përdor llamarinë, hekur, dru dhe lëkurë për të riparuar protezat e vjetëruara, por shëndeti i tij është në përkeqësim.

“Kam vështirësi shumë të madhe në ecje. Kam shumë frikë se po më infektohen këmbët, pasi protezat po më vrasin,” u ankua Koloshi për BIRN.

Koloshi është vetëm një nga qindra të gjymtuarit si pasojë e minimit nga forcat serbe të brezit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku shtrihen 30 fshatra të ndarë mes bashkive të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars 1999, që synonin ta detyronin presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç t’i jepte fund shtypjes të tij të dhunshme ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të tërhiqte forcat e tij, brezi kufitar me Shqipërinë u ekspozua ndaj bombardimeve sistematike të artilerisë serbe dhe sulmeve paramilitare në brendësi të territorit shqiptar.

Mbi 3350 predha artilerie u hodhën mbi fshatrat kufitare, ndërkohë që përgjatë 117 kilometrave të kufirit u mbollën një numër i madh minash anti-person, pa llogaritur minat surprizë, ato antitank, predhat e kalibrave të ndryshëm dhe materiale të tjera të paplasura. Pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999, u desh një dekadë që këto pajisje vdekjeprurëse të pastroheshin nga ekspertë të pastrimit të minave.

Që nga fundi i luftës, u aksidentuan mbi 268 persona, mes të cilëve 34 humbën jetën, 12 humbën shikimin, 54 u gjymtuan rëndë dhe 168 persona të tjerë pësuan dëmtime të shkallëve të ndryshme.  Zona më e goditur është Tropoja me 140 të aksidentuar, e ndjekur nga Hasi me 88 dhe Kukësi me 40.

Dy dekada më vonë, të gjymtuarit nga minat serbe në qarkun e Kukësit mbijetojnë me vështirësi, të braktisur nga shteti dhe në mungesën totale të shërbimeve jetike shëndetësore.

“Gjysma e pensionit tim shkon për ilaçe”

Gjatë luftës në Kosovë, shumë banorë lokalë në fshatrat kufitare të Kukësit, Hasit dhe Tropojës e mbështetën shumë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë shtëpi u kthyen në strehëza ose seli për luftëtarët e UÇK-së që po luftonin trupat e Millosheviçit dhe forcat e policisë.

Kukësi ishte gjithashtu një zonë në të cilën UÇK-ja dyshohet se mbajti të burgosur nëpër burgje të improvizuara, të cilat tani janë në fokus të aktakuzave në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ndërkohë, banorët shqiptarë në këto fshtra vazhdojnë të vuajnë pasojat e luftës 1999.

Fshati i vogël i Dobrunës, në kufi me Gjakovën, vuan plagë të thella nga minat në kufi, ku 22 djem dhe vajza kanë mbetur të gjymtuar, ndërsa tre të tjerë kanë humbur jetën.

Në kohën e luftës, Sose Mulaj nuk e braktisi fshatin, ndërsa shtëpia e saj priti e përcolli me dhjetëra luftëtarë të UÇK-së. Pas çlirimit të Kosovës, Soses iu desh të kujdesej për djalin e saj të gjymtuar, i cili humbi duart dhe dëmtoi sytë si pasojë e shpërthimit të një mine në afërsi të fshatit.

Me lot në sy, Sosja tregon se si djali i saj, Korabi u aksidentua në qershor të vitit 2000 teksa po kulloste bagëtitë në qafën e Murrizit. Asokohe, Korabi ishte vetëm 18 vjeç dhe po përgatitej për provimet e maturës, por aksidenti ia preu ëndrrat në mes.

Sosja tregon se Korabi u shpëtua nga disa kosovarë që po nxirrnin dru në pyll dhe e dërguan fillimisht në spitalin e Gjakovës. Ai u transportua më pas me një helikopter të KFOR-it në spitalin e Prishtinës, ku qëndroi në trajtim mjekësor për 6 muaj.

Tani Korabi është 39 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe mbijeton me vështirësi me një pension invaliditeti prej 18 mijë lekësh. Nëna e tij është e zhgënjyer nga mungesa e drejtësisë për krimet e luftës dhe neglizhenca e shtetit për jetën e të birit.

“Komuniteti ndërkombëtar dhe Haga nuk po gjykojnë drejt. I kam thënë burrit tim të marrë djalin e sakatuar nga minat dhe bashkë me 22 djemtë dhe fëmijët e tjerë të Dobrunës të shkojnë në Hagë e të protestojnë para gjykatës, e me i thanë: ‘Shif si na i ka ba serbi fëmijët’, tha Sose Mulaj për BIRN.

Kadri Mula, sot 58 vjeç, ra në mina ndërsa patrullonte kufirin si ushtar me pagesë. Detyra e Mulës ishte ndalimi dhe paralajmërimi i refugjatëve kosovarë për të mos kaluar në zonën e minuar, por më 18 qershor 1999, ai mbeti vetë i plagosur nga shpërthimi i një mine.

“Gjatë kontrollit të vijës kufitare kam rënë në mina dhe jam plagosur në të dyja këmbët. Më kanë dërguar në Krumë, ku ndihmën e parë e kam marrë në xhaminë e qytezës, ku ishte i instaluar një spital fushor i ngritur për UÇK-në,” kujton Mula.

Ai u transportua me helikopter në Tiranë dhe mbijetoi pas qëndrimit për 48 orë në koma. Por aksidenti i shkaktoi probleme të tjera shëndetësore, ndërsa Mula vuan sot nga diabeti dhe parkinsoni.

“Marr një pension prej 17 mijë lekësh, ku gjysma e pensionit më shkon për ilaçe,”tha për “BIRN” Kadri Mula.

Në zonën e Hasit, autoritetet e Kosovës u kanë dhënë disa banorëve statusin e veteranit të UÇK-së ose invalidit të luftës, gjë që i bën ata të përshtatshëm për të përfituar pensione, në shenjë vlerësimi për ndihmën e tyre në luftën e armatosur të grupit gueril.

Zoje Hoti, bashkëshortja e Hysni Gucatit tashmë të ndjerë, i cili u plagos nga snajperët serbë dhe që u lëndua rëndë nga minat, tha se ajo kishte udhëtuar vetë në Prishtinë për t’u interesuar nëse bashkëshorti i saj e përfitonte statusin e invalidit të luftës, por i kishin kërkuar rryshfet.

“Kurrë nuk jam shpërblyer, megjithëse si familje që e kemi shtëpinë në vijë të kufirit, kemi kontribuar gjatë luftës. Kush nuk e ka marrë statusin e veteranit pa asnjë kontribut,” tha ajo e zhgënjyer.

“Personat  me aftësi të kufizuara i blejnë vetë protezat e tyre”

Të mbijetuarit e minave dhe municioneve ende nuk njihen si persona me aftësi të kufizuar në Shqipëri, ndërsa një ligj i miratuar në vitin 2014 prodhoi më shumë paqartësi mbi përfituesit dhe vlerat përkatëse.

Izet Ademi nga fshati Bardhoc i Kukësit, i cili humbi njërën këmbë pranverën e vitit 1999 dhe është anëtar i një shoqate që mbron të drejtat e të mbijetuarve nga minat dhe armët i tha BIRN se pensionet që ata marrin janë të papërshtatshme.

“Pjesa më e madhe e të mbijetuarve nga minat në fshat janë me vështirësi të mëdha. Më përpara, të aksidentuarit dhe të gjymtuarit nga minat paguheshin nga fondi social i komunave nga 9-11 mijë lekë. Por ky fond tashmë nuk ekziston”, tha Ademi.

Prej vitit 2005, pranë spitalit rajonal të Kukësit u ngrit reparti i protezave për t’u ardhur në ndihmë të gjymtuarve të zonës, falë donacionave të organizatave ndërkombëtare.

Specialisti i vetëm i repartit, Fadil Shehu i tha BIRN se prej vitit 2015 përballen me mungesë fondesh dhe materialesh, duke lënë pa shërbim mbi 200 invalidë.

Këtë vit është akorduar një buxhet prej 3 milionë lekësh (24,290 euro), që Shehu tha se është ‘simbolik’, krahasuar me çmimet e kripura të protezave cilësore.

“Vetëm një protezë kushton rreth 1 mijë euro. Materialet cilësore i blejnë vetë të gjymtuarit nëse kanë mundësi, pasi një shputë cilësore me karbon kushton 1 mijë euro,” tha ai.

Problemi tjetër është mungesa e kompanive të specializuara në Shqipëri që shesin materiale për riparimin e protezave, që do të thotë se nëse personat me aftësi të kufizuara i dërgojnë ato për t’u rregulluar, ata do të kenë vështirësi në lëvizje sepse mund të jenë të detyruar të presin për periudha të gjata që ato të rregullohen.

Ndërkohë në fshatin Dobrunë, Kadri Mula pret prej kohësh t’i rikthehet proteza e tij.

“E kam dërguar për riparim protezën në Kukës, por më ka mbetë atje, se nuk ka material për riparim”, tha ai. (balkaninsight.com/

Lini një Përgjigje

Reagimi i Heiko Maas tregon problemin thelbësor të politikës gjermano – Izraelite

Kandiq: Dekorimi i Handkes është nisje e luftës ndaj rajonit dhe neve që bartim turpin e gjenocidit dhe krimeve që kreu Serbia