Shkruan: Mevi Rafuna
Një fëmijë i vogël nuk e di çfarë është frika deri kur mësohet me idenë e frikës…
Ideja e frikës është më e fuqishme sesa frika! Kur takohesh në një pikë me frikën nuk ke më frikë dhe aty shpirti ose dorëzohet ose vazhdon rrugën.
Rrugëtimi shpirtëror i një individi nuk është i lehtë! Religjionet monotesite na kanë mësuar ta duam Zotin më shumë nga frika. Frika ndaj të panjohurës, frika ndaj mëkatit, frika ndaj ndëshkimit…
Frika e ka dominuar dashurinë për jetën dhe për Zotin, frika ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë njerëzit nën kontroll.Mjafton që dikush ta mbizotëroj hapsirën tonë të mendjes dhe të na kontrolloj përmes idesë së frikës. Dikush mund të jetë nëna, apo babai ynë, i dashuri apo bashkëshorti, dikush mund të jetë mësuesi,kleri apo pushteti…
Ka prindër që duan t’i programojnë fëmijët e tyre deri në atë pikë, që çdo mendim i fëmijës së tyre të kontrollohet. Ka çifte që vazhdimisht e kontrollojnë njëri- tjetrin dhe lidhja e tyre nuk mbahet mbi parimin e dashurisë por mbi frikën dhe kontrollin.
Këta individë të shumtë të kontrolluar me idenë e frikës është shumë lehtë të kontrollohen përmes idesë së pushtetit politik.
Këta individë të shumtë të kontrolluar që dikur shumica nënvetëdije protestonin kundër pushtuesit serbë me parulla, “liri, demokraci” pas luftës shumica nënvetëdije e humbën lirinë.
Krijuan Iluzionin e Lirisë në të cilin edhe sot jetojnë dhe për të cilin kërkojnë faktorë dhe fajtorë. Pas luftës liria e popullit u uzurpua.
Doli një grup dhe u thirren mbi të “drejtën e çlirimit” ata ja dhanë vetes të drejtën ta përcaktojnë jetën dhe Ardhmërinë tonë për dekada të ardhshme. Të marrësh fatin e një populli në dorë kur je i paditur dhe pa njerëzi është delir i marrëzisë.
Të jesh i ditur por të punosh me egoizëm për të keqen, nuk je i arrirë por je njeri i keq. Kështu,- falë veprës së tyre ku vlerat u shndërruan në anti vlera, ku të jesh njeri i mirë dhe t’i qasesh jetës publike ishe i humbur u krijua një grupacion që ditën shaheshin mes vete dhe natën i ndanin pushtetet.
Vlera e intelektualit humbi dhe vendin e tij e zuri servili i devotshëm partiak- politik! Zërat kritik u shuan, të menduarit e arsyeshëm nuk u mor në konsideratë dhe gjumi i arsyes lindi përbindësha do të thoshte piktori spanjoll Goya.
Tani, në opinionin publik ata që ishin servil të devotshëm dikur flasin, shkruajnë dhe japin këshilla si të dilet nga kjo situatë.
Pasi, na shpërndanë si zogjtë e qyqes nëpër botë dhe fëmijët që lindën në luftë dhe pas lufte u shndërruan në emigrantë më thoni cila është e arrira më e lartë e kësaj klase politike- pozitë opozitë. Ndërsa, populli i humbur pret shpëtimtarin! Thuaj se askush nuk reflekton… dhe ideja e frikës ndaj pushtetit është futur në shpirtrat e njerëzve.
Kush do e shënoj fundin e tranzicionit?!