Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare” 2021, ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila. Ceremonia e dorëzimit të këtij Çmimi do të organizohet në datë 12 mars 2021.
“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si edhe shpërfaqja e tyre dinamike. Romani “Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta, dashurinë e pa realizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe.
Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), ka lindur në Pejë, ndërsa është autor i mirënjohur i një numri veprash të spikatura.
Në edicionin e gjashtë të këtij konkursi, nismë e Institutit Pashko, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, duke shenjuar një produkt të lavdërueshëm në shkrimtarinë shqip.
Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.
Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj veçoi në mbyllje të kësaj gare: “Mund të them se me edicionin e tij të gjashtë, Çmimi “Kadare” vijoi përmbushjen e qëllimeve dhe synimeve të veta: të nxisë të shkruarit letrar në shqip, të zbulojë, identifikojë dhe promovojë cilësinë e të shkruarit në prozë. Autorë të rinj mjaft të talentuar, emra pak të njohur apo të panjohur ende por me potenciale krijuese, autorë të afirmuar që kanë tashmë një numër veprash të botuara, vendosur në Shqipëri, në Kosovë dhe në vende të ndyshme të botës, banorë në atdheun e gjuhës shqipe – kjo ishte galeria e autorëve. Subjektet nga aktualiteti, e shkuara apo edhe futuriteti aty-këtu, si dhe stilet e larmishme, paraqitën një mozaik të letërsisë klasike e neoklasike dhe asaj eksperimentale – të gjitha këto nën një emërues të përbashkët, që është kultura e mirë e të shkruarit.
E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.
Autori fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.
Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.
Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:
Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.
Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, me veprën “Piramida e shpirtrave”, ndërsa shkrimtari Musa Ramadani është fitues i këtij Çmimi për vitin 2017, me romanin “Profeti nga Praga”.
Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, ndërsa fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”
Kush është fituesi i Çmimit “Kadare” 2021
Gani Mehmetaj (1955) është publicist, shkrimtar, dramaturg e kineast nga Peja. Mehmetaj ligjëron si profesor në Fakultetin e Arteve e njëherësh mban pozitën e drejtorit të Kosovafilm-it qysh prej vitit 2003. Gjatë viteve 1997-1999 ai ka punuar si redaktor e më pas kryeredaktor në gazetën “Rilindja”. Është ndër krijuesit dhe intelektualët më të angazhuar në trajtimin e problemeve e fenomeneve devijante që e karakterizojnë kohën e tranzicionit, përkatësisht periudhën traumatike të pasluftës.
Veprat letrare:
“Kujtime të trishta”, tregime, (2010), “Dardania press”, Prishtinë,
“Qyteti në ankth”, roman (2011) “Dardania press”. Prishtinë,
“Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar), roman (2012),
“Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë (2014).
“Ilirianët”, tregime, 2015, “Dardania press”, Prishtinë,
”Ëndrra e madhe”, kujtime, Dardania press, 2015, Prishtinë,
“Zhvarrimi”, roman 2016, Dardania press, Prishtinë,
“Boritë e Apokalipsit”, roman 2017. “Dardania press”, Prishtinë,
“Kalorësit e Dardanisë”, roman 2019.
Ese filmi e publicistikë:
“Magjia e ekranit”- Kritikë filmi (2005), “Kosovafilmi”, Prishtinë.
“Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006), “Faik Konica”, Prishtinë.
“Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007), “AIKD”, Prishtinë.
“Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Dardania press”.
“Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, botoi “Titanic”, Prishtinë.
“Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza,
“Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kosovafilmi”.
“Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010), studim, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës.
“Ëndrra e madhe”, kujtime (2015).
“A di zoti shqip”, ribotim i plotësuar 2016.
“Adaptim filmi, si të shkruash skenar origjina ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, dedikuar studentëve të Akademisë së Filmit, botues Akademia Evolucion, Prishtinë, 2014.
“Kolosët e filmit” – pjesë nga historia e filmit, libër për studentë dhe për filmofilët. botues Fakulteti i Arteve Mediale, Akademia Evolucion. /Gazeta Liberale
https://liberale.al/zogjte-e-qyqes-i-autorit-gani-mehmetaj-fitues-i-cmimit-kadare-2021/