in

Lezhë: Paralajmërimi për përmbytjet

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar reshje të dendura shiu në ditët në vijim, duke shtuar se në zona të caktuara të vendit mund të ketë përmbytje.

Në një lidhje Skype për Ora News, prefekti i Qarkut Lezhë, Gjok Jaku, tha se të gjitha strukturat bashkiake i janë përveshur punës për të përballuar reshjet dhe evituar përmbytjet.

Sipas tij, janë marrë masat e duhura që të mos përsëriten përmbytjet e para disa ditëve.

Gjok Jaku: Jemi të gjithë strukturat e mbrojtjes civile të Qarkut Lezhë, jemi në ndjekje të pandërprerë të situatës. Njoftimi që është dhënë nga IGJEUM për sasi të shtuar reshjesh në ditët në vijim, nga sot deri ditën e martë, sigurisht që do të na bëjnë që të gjitha strukturat e mbrojtjes civile të jenë në gatishmëri të plotë për 24 orë. Fakti është që situata e ditëve të shkuara, para afro 10 ditëve na vuri në një provë të cilën besoj se e kaluam me sukses. Kjo pasi sasia e reshjeve ishte përtej pritshmërive. Vetëm në territorin e Qarkut Lezhë, sasia e reshjeve të rëna ka qenë diku tek 220-230 milimetra, në harkun kohorë diku tek 45-47 orë. Ishte një provë që e kaluam me sukses, pavarësisht faktit se për 72 orë, tokat bujqësore qenë në ujë, sidomos në pjesën e Nën Shkodrës.

Në datën 9 janar, për shkak të situatës të krijuar nga reshjet intensive, u mblodh shtabi qendror, i cili drejtohet nga prefekti, në prani të tre kryetarëve të bashkive dhe të strukturave të tjera që i vijnë në ndihmë situatave të mbrojtjes civile dhe aty është bërë e gjithë tabela e kapaciteteve tona për t’u përballur me situatën e dimrit.

Theksoj se të gjitha njësitë vendore, kanë ofruar dhe i kanë në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe motorike për të përballuar një situatë të përsëritur si ajo e ditëve më parë. Fatmirësisht nga strukturat e mbrojtjes civile të njësive nga një vit në tjetrin kanë përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e tyre dhe monitorimin dhe bashkëpunimin mes shtabit të mbrojtjes civile në prefekturë. Sikundër një mbështetje e fuqishme e mbrojtjes civile për qarkun tonë bëhet dhe bordi rajonal i kullimit dhe reparti 1010 i Vaut të Dejës me kapacitete të shtuara në funksion apo ndihmë të emergjencave civile.

Unë mund t’iu them me siguri, se nga komunikimi që kam pasur me kryetarët e bashkive, që do të vendosin në dispozicion kapacitetet motorike të tyre, duke marrë si eksperiencë provimin e shkuar ne do ia dalim edhe nëse sasia e reshjeve do të jetë po ajo. I vetmi nga shtatë hidrovoret që ka Qarku Lezhë, 5 ka territori i bashkisë Lezhë, dy i ka Kurbini, një në bashkinë e Kurbinit është me kapacitet jo të plotë, sepse është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Të gjitha hidrovoret e tjera, 5 në Lezhë dhe 1 i Kurbinit janë në kapacitete të plota.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Vonesat e vaksinës, ngadalësohet imunizimin në shumë vende evropiane

Londër: 92 vjet burgim për vdekjen e 39 migrantëve