in

Kushtet e udhëtimit pas liberalizimit të vizave

Kosovarët shpenzuan miliona euro nga viti 2016 deri në vitin 2021 për t`u pajisur me një vizë Schengen. Megjithatë, edhe pas liberalizimit shtetasit e Kosovës do të duhet të plotësojnë kritere për t`u futur në zonën Schengen, siç është dokumentacioni përkatës sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, ndërsa duhet të kenë para mjaftueshëm për vizitën që do ta zhvillojnë kryesisht atë turistike e të tjera.

Por, teksa sot në Strasburg është nënshkruar vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhjetëra qytetarë janë parë duke pritur para ambasadave për t’u pajisur me një vizë. Ata shpenzojnë mesatarisht 160 euro për aplikim për vizë Shengen.

“Veç aplikimi online ka kushtuar 118 euro, pastaj aplikimi për termin 38 euro”, tha një qytetare që kishte aplikuar për vizë britanike.

Një tjetër qytetar i cili ka aplikuar për vizë në Zvicër i tha RTK-së se aplikimi i ka kushtuar 150 euro, derisa ka pritur që një muaj e gjysmë për t’i dorëzuar dokumentet.

Qytetarët e Kosovës ndër vite kanë shpenzuar dhjetëra miliona euro për t’u pajisur me viza. Sipas të dhënave të Grupit për Ballkan, nga viti 2016 deri në vitin 2021 kosovarët kanë shpenzuar 72 milionë euro për aplikim për vizë. Megjithatë gjatë udhëtimit pa viza në zonën Schengen qytetarët e Kosovës duhet të plotësojnë disa kushte, të cilat përfshijnë:

-Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.

– Shtetasi nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

-Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.

– Për të miturit, nëse nuk janë të shoqëruar nga të dy prindërit, kërkohet të respektohen kushtet e lëvizjes sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Nga viti 2018 procesi i liberalizimit të vizave ka kaluar nëpër disa shkallë, ndërsa me nënshkrimin e vendimit për liberalizim, Kosovës në këtë proces i ka mbetur vetëm edhe publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare si dhe hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Lini një Përgjigje

Von Cramon: Bojkoti i zgjedhjeve, gabim i madh i Listës Serbe

Të vendoset busti i Gani Kryeziut në Gjakovë