Është bërë më shumë se një muaj qysh kur Kosova ka mbetur pa president. Me shkuarjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, Vjosa Osmani është vënë në këtë pozitë si ushtruese detyre. Por çështja se kush do të jetë pasardhësi i Thaçit është bërë “mollë sherri” në mes të partive politike në vend. Madje kjo çështje duket se do të përçaj edhe koalicionin qeverisë. Ani se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është zotuar se do t’i ftojë partitë politike në një tryezë diskutimi për këtë çështje, subjektet politike kanë filluar që të vënë kushte për pjesëmarrje.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se janë në pritje të marrjes në konsideratë se presidenti duhet të jetë nga PDK-ja. Lutfi Haziri tha se nuk është koha e kushtëzimeve por e kompromiseve të mëdha.
Në ndërkohë të vetmit që po insistojnë me ngulm që lideri i tyre të jetë president, janë anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Anëtari i kryesisë së kësaj partie Rasim Selmanaj ka thënë se Ramush Haradinaj është emri i vetëm që kjo parti e njeh për president. Pas arrestimit të Hashim Thaçit, meqë akuzohet për krime lufte, sipas Kushtetutës detyrën e presidentit është duke e ushtruar, kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Ajo ka të drejtë që këtë detyrë ta ushtrojë për gjashtë muaj.