in

Kryeministri Hoti sfidohet në Kuvend me Ujmanin dhe të pagjeturit

Kuvendi i Kosovës mban mbledhjen e radhës sot në orën 10:00. Kryeministri Avdullah Hoti do të përgjigjet para deputetëve për dy tema të ndjeshme për Kosovën, siç janë Ujmani dhe të pagjeturit.

Me kërkesë të deputetit të Vetëvendosjes (VV) Liburn Aliu, do të mbahet interpelanca e kryeministrit Hoti lidhur me Përfshirjen dhe ndarjen e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020.

Po ashtu me kërkesë të deputetes së VV-së, Saranda Bogujevci, do të mbahet interpelancë edhe sa i përket temës së të pagjeturve.

Në këtë seancë, që pritet të fillojë në orën 10:00, do të shqyrtohen edhe disa projektligje dhe raporte vjetore të punës së Kuvendit.

Rendi i ditës për mbledhjen e sotme:

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,

Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,

Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

                

Lini një Përgjigje

Si do të jetë moti sot në Kosovë

'Forcat speciale Australiane vranë 39 civilë në Afganistan'