Gani Mehmetaj
Përjashto Shqipërinë në disa segmente, Kroacia dhe kroatët kanë bërë më se shumti për Kosovën jo vetëm në Gadishullin tonë. Brezi im e mbanë në mend parullën “armiku i armikut tim, është miku im”. Kroatët ishin miqtë tanë. Unë e kam ndjerë këtë miqësi. Intelektualët e tyre janë angazhuar për të drejtat tona qe nga Milan Shuflay, Mirosllav Kërlezha etj.
Mijëra studentë tanë kanë studiuar në Kroaci dhe u bënë shtylla e ekonomisë, mjekësisë, industrisë e kulturës së Kosovës. Mijëra shqiptarë që ikën nga terrori i Serbisë u strehuan dhe gjetën vatrën e tyre në Kroaci. Sot janë shqiptarë të suksesshëm.
Pas luftës shteti kroat u angazhua si asnjë shtet në politikën ndërkombëtare që të na njohin, kurse dy-tre presidentë të tyre thanë publikisht se Serbia duhet ta ketë kusht njohjen e Kosovës për t’u futur në BE. Kur Serbia na kërcënonte me luftë ata na ofronin aleancë ushtarake.
Shqiptarët në Kroaci, edhe pse nuk janë vendës, kanë të drejtat kombëtare. Përfaqësuesit e tyre politikë deri në Kuvend, angazhohen me sukses për bashkëkombësit e tyre. Kanë shkolla nga fillorja në Gjimnaz.
Zara është mburrja jonë me arbëreshët që na e zbardhën faqen gjatë historisë.
Bregdeti kroat-Dalmacia, por edhe në brendësi ka një minoritet të fuqishëm shqiptarë që i trajtojnë mirë, kanë emisione në gjuhën shqipe në televizionin qendror. Janë shumë segmente që na lidhin, ndërsa do të ishte e pafalshme ta shpërfillim këtë miqësi.
Kreu i shtetit tonë qe nga fillimi ka qenë i vetëdijshëm për miqësinë e shtetit kroat, pavarësisht a ishin të LDK-se, PDK-së apo të VV-së.
Është e vërtet se shqiptarët, veçmas oficerët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, që ishin banorë të Kroacisë dhanë shumë në luftën atdhetare, madje ishin shtylla e ushtarakëve të suksesshëm. Miqtë e mi kroatë ma kanë thënë disa herë këtë gjë. E kanë thënë publikisht të gjithë zyrtarët e tyre.
Parada e përkujtimi të luftës atdhetare kroate bëhet me brigadën shqiptare atdhetare dhe me flamurin shqiptar.
Fatkeqësisht kreu i shtetit shqiptar, nga presioni i Serbisë, shtetit armik të Kosovës, ngurrojnë t’i afrojnë. Ilir Meta i pret mirë, Edi Rama i shpërfill.
Kroacia e ka ushtrinë në kuadër të KFOR-it që i mbron kufijtë tonë.
Prandaj Kroacinë e kemi shtet mik, duhet ta afrojmë.


