Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është unike në qëndrimin që ka se a duhet të votohet Vjosa Osmani për presidente. Për këtë arsye, kreu i këtij subjekti ka kërkuar takime me kandidaten në mënyrë që më vonë në kryesi të partisë të vendoset përfundimisht qëndrimi i tyre. Deri tani, janë disa anëtarë të LDK-së që publikisht po thonë se e përkrahin Osmanin/
Kurti është emëruar me 67 vota kryeministër, derisa në krye të organit më të lartë legjislativ në vend është emëruar Glauk Konjufca, që mori 69 vota të deputetëve.
Për t’u finalizuar marrëveshja për të cilën ishin zotuar Kurti e Osmani, për këtë të fundit duhet të sigurohen votat apo kuorumi në mënyrë që të ulet në karrigen më të rëndësishme të shtetit.
Si ‘shpëtim’ për këtë, Osmani është duke e kërkuar ndihmën e ish-bashkëpartiakëve të saj, e pikërisht për këtë arsye ditë më parë zhvilloi edhe një takim me kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikun.
Abdixhiku pas takimit tha se do të shihen prapë me Osmanin, duke e cilësuar takimin pozitiv.
Tani kur LDK-ja përfundimisht nuk ka dalë ende me qëndrim për këtë çështje, e cila do të përcaktojë edhe nëse Osmani mund të bëhet presidente, ka disa anëtarë të partisë më të vjetër në Kosovë që po bëjnë thirrje që ajo të votohet.
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, është shprehur hapur se nëse pyetet personalisht ai për një emër të përveçëm, LDK-ja duhet të ketë votë për Vjosa Osmanin për presidente.
Nënkryetari tjetër i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë se pasi të qartësohet pozicioni i Osmanit në raport me çështjet që janë në interes të Republikës së Kosovës, do të marrin vendim nëse e votojnë apo jo.
“Kur të dalin këto qëndrime, do të jem më i qartë nëse LDK-ja duhet të ketë votë ose jo për Vjosa Osmanin”, tha ai, duke shtuar se ishte Osmani ajo që e ka ndarë në dysh elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Në fillim duam ta dimë qëndrimin e Osmanit për dialogun. A do ta vazhdojë ajo dialogun? Ne duam që normalisht ajo të jetë pro dialogut në mënyrë që t’i japë vendit perspektivë. Pastaj, duam t’i dimë qëndrimet e saj në raport me institucionet e pavarura. Tash duhet të zgjidhen shefi i AKI-së, ambasadorët, gjyqtarët, prokurorët…”, tha Muhaxheri.


