Në kohën kur numri i njohjeve të shtetit të Kosovës ka shënuar ngecje, e ku në shumë nisma rajonale tentohet të shmangen simbolet shtetërore, kur Kosova ka pezulluar aplikimet në organizata ndërkombëtare si dhe kur shumë ish-ushtarë të UÇK-së po përballen me Gjykatën Speciale, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në qendrat kryesore vendimmarrëse, siç janë Washingtoni, Brukseli, Londra, Tokio etj.
Në këtë periudhë kur Kosova e ka më se të nevojshme prezencën ndërkombëtare, mungesa e ambasadorëve në këto vende lë prapa prezantimin e agjendës dhe politikës shtetërore dhe qasjen proaktive të Kosovës karshi zhvillimeve të shumta politike në rajon dhe më gjerë.
Kosova ka mbetur pa ambasador në Bruksel, pasi që mandati i ambasadorit të deritashëm Bernard Nikaj ka skaduar. Kosova po ashtu ka mbetur pa ambasador edhe në Londër të Anglisë dhe tani për tani është me ushtrues detyre.
Pa ambasador Kosova ka mbetur edhe në Tokio të Japonisë, pasi që ambasadorit të deritashëm Leon Malazogu i ka skaduar mandati. E njëjtë ka ndodhur edhe në Sofje të Bullgarisë ku ambasadori Edon Cana ka kërkuar kthimin e tij pas përfundimit të mandatit.
Rasti i njëjtë është edhe në Tajlandë, ku tashmë Muhamet Brajshori i cili kishte qenë ambasador në këtë shtet, është emëruar zv.ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. (Telegrafi)