Përgatiti: Valmir Mehmetaj
Kryeministri në largim Avdullah Hoti bëri të ditur në një postim në Facebook se së bashku me ambasadorin amerikan Philip S. Kosnett kanë nënshkruar një marrëveshje financiare për investime nga ana e SHBA-së në Kosovë.
Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve (IIA) i mundëson projekteve nga Kosova qasje në mjetet financiare të Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).
DFC është institucioni i financimit të zhvillimit të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara, kryesisht përgjegjës për sigurimin dhe lehtësimin e financimit të projekteve private të zhvillimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Është themeluar më 2018 dhe ka kapacitet huazimi prej 60 miliard dollarësh.
Një shembull se si funksionon DFC-ja, dhënë nga shefi i zhvillimit të korporatës Andrew Herscowitz për Federal News Network, janë projektet e energjisë.
“Në shumë vende në zhvillim, qeveritë mund të kenë qenë vetë duke ndërtuar projekte të energjisë, para se të kuptonim se ka shumë interes nga sektori privat që ta bëjnë atë. Pra, ajo që ne do të bëjmë është që ne do të hyjmë dhe do t’u japim hua atyre kompanive private që ta ndërtojnë atë projekt të energjisë”.
Në postimin Kryeministrit Avdullah Hoti, që e japim të plotë në paragrafin e mëposhtëm, thuhet ndër të tjera se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka qasje në DFC.
“Me ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Philip S. Kosnett, nënshkruam Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të SHBA-ve, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike.
Republika e Kosovës është vendi i parë në Ballkanin Perëndimorë që ka nënshkruar Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me Korporatën e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC). Kjo marrëveshje shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë.
Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve (IIA), hap rrugë dhe garanton investimet amerikane në Kosovë, efektet e së cilës do të shihen gjatë vitit 2021, si dhe është një hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Uashingtonit”.