Për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar.
Kështu deklaroi kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, pas arritjes së pajtimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel më 21 qershor.
“Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter pas takimit ndërmjet palëve nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.
I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është “një hap i madh përpara”.


