Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar ditën e djeshme një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bahrejnit, Abdullatif bin Rashid Alzayani.
Me të ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Bahrejnit përmes rritjes së kontakteve midis institucioneve tona.
“U dakorduam që Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Bahrejnit do të rrisin edhe bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik, duke punuar përkrah partnerit tonë të përbashkët SHBA-ve, drejt një epoke të re të bashkëpunimit mes vendeve tona”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.
Ministrja e ka përgëzuar homologun nga Bahrejni edhe për nënshkrimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat hapin rrugën për paqe dhe rritje të bashkëpunimit rajonal në Lindjen e Mesme.