Kurti ka shkruar se ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi-Shqipëri, kufirin, për të cilin tha se i mbajti shqiptarët të ndarë që nga viti 1913, kur ai u vendos dhunshëm nga Serbia.
“Për luftën e shqiptarëve kundër Serbisë, Beteja e Koshares dhe veçanërisht thyerja e kufirit, ishin një kalim liminal, sepse i hapi rrugë depërtimit më të lehtë të vullnetarëve të UÇK-së nga Shqipëria drejt Kosovës dhe krijoi hapësirë të lirë për kanale furnizimi me armë. E shtrirë në kohë për më shumë se dy muaj, Beteja e Koshares u zgjat me ofensiva dhe kundërofensiva që rezultuan me 114 ushtarë të UÇK-së të rënë dëshmorë dhe rreth 170 të tjerë të plagosur, djem trima që u përjetësuan në përpjekjet fisnike të popullit tonë për liri. Por bashkë me shokët e tyre që luftuan në Koshare, të ndihmuar edhe nga tytat e artilerisë së Ushtrisë së Shqipërisë dhe avionët bombardues të NATO-s, ata u shkaktuan ushtrisë së Serbisë 108 të vrarë, mes të cilëve edhe mercenarë rusë. Beteja e Kosharës krijon pikën e kthimit”.
Kryeministri tha se në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, “tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë”.
“Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit. Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shënjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh”.
“E ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, është e sotmja jonë e vazhdueshme. Është Kosova e lirë dhe e pavarur, në afrim e bashkërendim progresiv me Shqipërinë, me perspektivë drejt Bashkimit Evropian dhe me aleanca me vendet e NATO-s. Andaj Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërore që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.