Ka një javë që në Klinikën Infektive në QKUK, pacientët e prekur nga Covid-19, mes terapive të tjera, po trajtohen edhe me plazmën konvalesente të gjakut. Plazma merret nga personat që e kanë tejkaluar COVID-19 së paku nëntë muaj më parë.
“Ne dozën e parë e kemi filluar me 5 shkurt dhe deri më tash ne e kemi dhënë tek pesë pacientë. E besoj se ky do të jetë një protokoll rutinor të cilin e praktikojnë pothuajse të gjitha vendet e botës”, shprehet Salih Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive.
Kjo formë e trajtimit të pacientëve përdoret edhe për ata që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe tek të prekurit me COVID-19 është treguar efikase.
“Dhe ne e kemi dhënë tek pesë të sëmurë rëndë deri më tani dhe efektshmëria e tyre është e mirë. Ne kemi pasur rezultate të mira tek pacientët që i kemi dhënë deri më tani”, thotë mjeku.
Megjithatë, problem mbetet vetëdijësimi i qytetarëve për të ndihmuar në këtë aspekt, ndonëse është Qendra e Transfuzionit të Gjakut ajo që merret me grumbullimin e këtyre dozave. Mjeku deklaron se nuk ka asnjë procedurë tjetër sesa ajo e dhurimit të zakonshëm të gjakut.
“Dhe kjo pra nuk ka asgjë më tepër, përjashtimisht që këta pacientë që janë dhurues të plazmës konvalencente janë persona që kanë kaluar COVID-in dhe në gjakun e tyre mbajnë antitruptha të gatshëm, të cilët kur barten tek pacienti që ka nevojë për këtë, do të veprojnë shumë shpejt në neutralizimin e virusit”, shpjegon mjeku Ahmeti.
Infektologu deklaron se personi që jep gjak, nuk i ulet numri i antitrupave. Ndërkohë, në Kosovë numri i të vdekurve nga Sars-cov2 është mbi 1.500 persona.