Deklarata e kryeministrit Edi Rama që KFOR duhet të marrë nën administrim veriun e Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se atje situata është e vështirë dhe se “për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.
“Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse” – tha Rama.
Një përgjigje e dha kryeministri i Kosovës Albin Kurti që tha në një intervistë për media boshnjake se ka nevojë vetëm për patrullime të përbashkëta mes policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonën kufitare dhe jo në pjesën tjetër.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë – Serbi. Për sa u përket çështjeve të tjera, protokolli është përcaktuar tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet” – ka thënë Kurti në intervistë.