Komisioni Evropian sot miratoi një paketë prej 70 miliona € nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar në financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër COVID-19 të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE-së.Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi tha se gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar.”Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për ta mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të cenueshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në mbarimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Várhelyi.Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme për vaksinim.Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor që ta blejë një numër të vaksinave nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjes të BE me gjashtë prodhues, ashtu që Shtetet Anëtare të BE e ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.Ndërsa BE vazhdon ta përkrahë iniciativën COVAX, që është instrumenti botëror për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave nën atë skemë pritet të fillojë më vonë sesa fushatat e vaksinimit në BE.Qasja në një numër të dozave nga marrëveshjet e blerjes së BE do të mundësojnë që rajoni të fillojë vaksinimin paralelisht me Shtetet Anëtare të BE-së.Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë rajonin edhe në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për ta siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE po financon edhe një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.Komisioni Evropian zotohet që të sigurojë se të gjithë ata që kanë nevojë për vaksinë, do ta marrin, kudo në botë.Kjo është arsyeja pse menjëherë iu përgjigj thirrjes së OBSH-së për veprim dhe ka ndihmuar në mbledhjen e gati 16 miliardë eurove që nga 4 maji i vitit 2020 nën Reagimin Global ndaj Koronavirusit, që është veprimi global për qasje universale në teste, trajtime dhe vaksina kundër koronavirusit dhe për rimëkëmbjen globale.Instrumenti COVAX është shtylla e vaksinave të Përshpejtuesit të Qasjes në Mjetet ndaj COVID-19 (ACT), një bashkëpunim global për ta përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në teste, trajtime dhe vaksina kundër COVID-19. Mbi 870 miliona euro janë zotuar deri më tani nga BE dhe Shtetet Anëtare të BE për COVAX. COVAX synon të blejë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, përfshirë mbi 1.3 miliardë për shtetet në zhvillim.Kjo do të ndihmojë në zhvillimin e një portofoli të larmishëm të vaksinave, të negociuar me furnizues të ndryshëm, dhe që mbulon teknologji të ndryshme shkencore, kohën e dorëzimit dhe çmimet.Pjesëmarrja e BE-së në COVAX është plotësuese me negociatat e vazhdueshme të BE me kompanitë e vaksinave të nisura në bazë të Strategjisë së Vaksinave të BE. Përpjekjet e BE-së për të zhvilluar dhe prodhuar një vaksinë efektive do të shkojë në dobi të të gjithëve në komunitetin global.Investimi i BE-së në përshkallëzimin e kapacitetit prodhues do të jetë në shërbim të të gjitha shteteve në nevojë.Përmes Marrëveshjeve të Avancuara të Blerjes, ajo u kërkon prodhuesve që të vënë në dispozicion kapacitetin e tyre të prodhimit për t’i furnizuar të gjitha shtetet dhe bën thirrje për rrjedhën e lirë të vaksinave dhe materialeve pa asnjë kufizim eksporti.Komisioni gjithashtu po e koordinon donacionin e disa prej dozave të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE-së për shtetet e ndryshme partnere në mënyrë që të garantohet qasja e tyre e hershme në vaksinat kundër COVD-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullatën në nevojë derisa të vihen në dispozicion vaksinat përmes COVAX.