Atentati ku humbi jetën polici 26-vjeçar Xhuljo Prela është regjistruar nga kamerat e sigurisë në zonë.
Ndërsa mësohet se polici kishte devijuar rrugën pas një telefonate dhe në takim kishte shkuar me armën e shërbimit gati për zjarr.
Burime bëjnë me dije se Xhuljano Prela pasi kishte dërguar një të afërm të tij në fshatin Pistull të Shkodrës ishte nisur në drejtim të Tiranës por pas një telefonate ai është kthyer nga rruga.
Në kamerat e sigurisë pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja shihet se në anë të rrugës në drejtim të Lezhës ishte ndalur një automjet dhe Xhuljano është ndalur pranë këtij automjeti për disa sekonda ka ulur xhamin në anë të pasagjerit dhe më pas e kanë qëlluar me një plumb në kraharor që i mori edhe jetën.
Xhuljano është munduar të largohet por ka përfunduar në një parcelë. Policia e Lezhës po kontrollon të gjitha kamerat e sigurisë së bizneseve në rrugët kryesore. Deri më tani nuk ka një pistë të qartë se cilat kanë qenë shkaqet apo autorët e vrasjes së Xhuljanos.
Prela, me origjinë nga Puka ishte student në Akademinë e Policisë Tiranë në vitin e 3-të. I ndjeri ka punuar dy vite në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa prej një viti ishte transferuar në FNSH-në Shkodër.