Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherësh deputeti popullor, Shaip Kamberi, së fundmi ka mbështetur iniciativën që në Batajnicë, të krijohet Qendër Memoriale, aty ku dyshohet se janë të varrosur qindra shqiptarë nga Kosova, gjatë luftës së vitit 99’.
Kamberi ka kërkuar që të mbështetet peticioni, përmes të cilit do të krijohet kjo qendër memoriale, meqë hapësira se ku ndodhet kjo varrezë masive, edhe sot shfrytëzohet nga Policia e Serbisë.
Ky peticion po organizohet nga Fondi për të Drejtat Humanitare në Serbi, ndërsa ka marrë mbështetjen e deputetit më të zëshëm në Serbi, Shaip Kamberi, i cili gjatë muajit të kaluar, kishte kërkuar këmbëngulësisht, që të zbulohen të gjitha varrezat masive në Serbi, që dyshohen të jenë me trupat e shqiptarëve të vrarë.
Më poshtë, mundë të lexoni edhe postimin e plotë të deputetit Kamberi, dhe linkun e peticionit mbështetës që Batajnica të shndërrohet në Qendër Memoriale.
“Ju ftoj të solidarizoheni me firmosjen e këtij peticioni qytetar për ta krijuar Qendrën Memoriale në Batajnicë, të cilin sapo e firmosa.
Siç e dini, Batajnica është një nga varrezat masive në Serbi, ku janë hedhur trupat e qindra civilëve të pafajshëm, edhe të moshuar, gra dhe fëmijë.
Me qëllim të zhdukjes së gjurmëve dhe të ikjes nga drejtësia, pas vrasjes në mënyrë monstruoze, kufomat e viktimave janë bartur mbi 400 km nga vendi i krimit, nga ana e urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve, që ishin edhe zyrtarë shtetërorë të Republikës së Serbisë.
Kjo hapësirë, ku janë varrezat masive shfrytëzohet ende sot nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”, ka shkruar deputeti Kamberi.