Bizneset në Mianmar u futën të hënën në grevë të përgjithshme, për të kundërshtuar puçin ushtarak.
Mijëra protestues u mblodhën në qytete, me gjithë mesazhet e juntës ushtarake se konfrontimi do të kushtojë më shumë jetë.
Të dielën, qindra njerëz ndoqën funeralin e Mya Thwate Thwate Khaingut, një grua 20 vjeçe, e cila u bë simbol i rezistencës, pasi u qëllua në kokë më 9 shkurt, derisa ishte duke protestuar.
Të shtunën, dy protestues të tjerë u vranë, kur policia hapi zjarr në qytetin Mandalai.
Megjithatë, tri javë pas marrjes së pushtetit, junta ushtarake nuk ka arritur t’i ndalojë protestat e përditshme dhe lëvizjen civile të mosbindjes, e cila bën thirrje për përmbysjen e grushtshtetit të 1 shkurtit dhe lirimin e udhëheqëses së zgjedhur të Mianmarit, Aung San Suu Kyi.
Media në pronësi të shtetit MRTV i paralajmëroi të hënën protestuesit kundër daljes në rrugë.
“Protestuesit tani po i nxisin njerëzit, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë emocionalë, në një rrugë konfrontimi, ku do të pësojnë humbje të jetës”, tha ushtria përmes deklaratës së transmetuar në televizionin shtetëror.
Përveç dyqaneve dhe restoranteve lokale, të hënën u mbyllën edhe zinxhirët ndërkombëtarë, përfshirë restorantin KFC dhe shërbimin e shpërndarjes së ushqimit Food Panda.
Disa vende perëndimore e dënuan puçin ushtarak në Mianmar, si dhe dhunën kundër protestuesve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në Twitter se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të “marrin masa të forta” kundër autoriteteve që godasin me dhunë kundërshtarët e grushtshtetit në vendin e Azisë Juglindore, që gjithashtu njihet si Birmani.
“Ne qëndrojmë me popullin e Birmanisë”, tha ai.
Dhjetë ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të puçit ushtarak në Mianmar.
Sanksionet godasin dhjetë individë, përfshirë ushtruesin e detyrës së presidentit, dhe tri kompani.