Ish shefi izraelit i sigurisë hapësinore thotë se jashtëtokësorët ekzistojnë dhe Tramp e di këtë. Ai thotë se jashtëtokësorët kanë një “federatë galaktike” dhe janë duke pritur që njerëzit të “arrijnë një fazë ku do të kuptojmë … çfarë është hapësira dhe çfarë janë anijet kozmike”, tha Haim Eshed. Eshed është gjeneral dhe profesor i respektuar, që tani po gëzon pensionin. Ai ka një bagazh shumë të pasur akademik dhe është institucion më vete sa i përket sigurisë hapësinore në Izrael. Edhe pse është në moshë të shtyer, është ende i mprehtë, dhe intervista e tij u publikua nga të gjitha mediet e mëdha botërore.
Një ish-shef izraelit i sigurisë hapësinore ka çuditur shumëkë duke thënë se tokësorët, më saktësisht amerikanët janë në kontakt me jashtëtokësorë nga një “federatë galaktike”.
“UFO-të kanë kërkuar që të mos bëhet publike se ata janë këtu, sepse njerëzimi ende nuk është gati,” tha Haim Eshed, ish-shefi i drejtorisë hapësinore të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, për gazetën izraelite Yediot Aharonot. Intervista në hebraisht u zhvillua të premten por mori dhenë të martën kur u botua në anglisht në Jerusalem Post.
Një profesor i respektuar dhe gjeneral në pension, Eshed tha se jashtëtokësorët janë po aq kuriozë për njerëzimin dhe se janë duke bërë kërkime që të kupojnë “strukturën e universit”.
Eshed tha se marrëveshjet të bashkëpunimit janë nënshkruar mes nesh dhe atyre, dhe përfshijnë edhe një “bazë nëntokësore në thellësitë e Marsit” ku ka astronautë amerikanë dhe përfaqësues nga “Federata Galaktike”.
“Ekziston një marrëveshje midis qeverisë amerikane dhe alienëve. Ata nënshkruan një kontratë me ne për të bërë eksperimente këtu,” tha ai.
Donald Trump gjatë fjalimit të tij inaugurues u zotua se do të “zhbllokojë” misteret e hapësirës. Andaj Eshed tha se Presidenti Donald Trump ishte i vetëdijshëm për ekzistencën e jashtëtokësorëve dhe kishte qenë “në prag të zbulimit” të informacionit, por iu kërkua që të mos e bënte këtë nga federata galaktike, me qëllim të parandalimit të një “histerie masive”.
“Ata kanë pritur deri më sot që njerëzimi të zhvillohet dhe të arrijë një fazë ku ne do të kuptojmë, në përgjithësi, çfarë është gjithësia dhe çfarë janë anijet kozmike”, tha Eshed, duke iu referuar federatës galaktike.
Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët izraelitë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së NBC News për koment. Sue Gough, një zëdhënëse e Pentagonit, nuk pranoi të komentojë.
Një zëdhënës i NASA-s tha se një nga qëllimet kryesore të agjencisë ishte kërkimi i jetës në univers, por që ende nuk kishte gjetur shenja të jetës jashtëtokësore.
“Edhe pse ne ende nuk kemi gjetur shenja të jetës jashtëtokësore, NASA po eksploron sistemin diellor dhe më gjerë për të na ndihmuar t’i përgjigjemi pyetjeve themelore, përfshirë nëse jemi vetëm në univers”, tha zëdhënësi në një deklaratë.
Eshed, i cili mbikëqyri lëshimin e satelitëve të shumtë izraelitë në hapësirë, tha se ai po fliste vetëm tani sepse atmosfera për të folur rreth alienëve është lehtësuar, dhe njerëzit po i pranojnë më lehtë këto zbulime.
“Nëse do të kisha dalë me atë që po them sot pesë vjet më parë, do të më kishin shtruar në spital,” i tha ai Yediot. “Sot, ata tashmë flasin ndryshe. Unë nuk kam asgjë për të humbur. Unë kam marrë gradat dhe çmimet e mia, unë jam i respektuar në universitete gjithandej.”
Gjatë majit, Trump kishte thënë se “Hapësira do të jetë e ardhmja, si në aspektin e mbrojtjes ashtu edhe në sulm … ne tani jemi lider në hapësirë”, pasi iu prezantua flamuri zyrtar i një dege ushtarake të sapo krijuar, Forcës Hapësinore. Fokusi i kësaj dege është për të ruajtur satelitët dhe komunikimet si dhe në gjeo-politikën e këtij terreni të ri. NBC
Përktheu: Valmir Mehmetaj