Nga Valon Rashiti17 Gusht 2023
Ish-zyrtari i NATO-së dhe analisti për paqe, siguri dhe mbrojtje, Maurizio Geri, në një analizë të publikuar në “The Critic”, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përdorur peshën e tyre diplomatike për idenë e ripërcaktimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje finale e problemit mes dy shteteve.Ajo thotë se kjo ide ishte mbështetur gjatë vitit 2020.
“Amerikanët kishin sugjeruar negocimin mbi një parim të ri: një shkëmbim toke ku të dy palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare të Serbisë jugore në Kosovë”, ka shkruar ai.Por, sipas tij, Gjermania nuk e kishte mbështetur rivizatimin e kufijve në Ballkan, meqë mund të përbënte një precedent për destabilitet në rajon.“Evropianët s’e mbështetën idenë. Gjermania udhëhiqte në taborin kundërshtar, përkundër se disa brenda BE-së filluan ta konsideronin idenë.
Ky ishte një dështim për t’u ballafaquar me pasojat nga e kaluara, meqë Gjermania dhe të tjerët tashmë e kishin njohur Kosovës dhe pavarësinë e saj të njëanshme në vitin 2008 (brenda kufijve ekzistues)”, shkroi Geri.Për shkëmbim të territoreve, sipas Gerit, ishin të gatshëm edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.“Më domethënëse akoma, BE dështoi ta kuptonte se pengesa kryesore rreth planit të shkëmbimit territorial tashmë ishte kaluar, pasi si Vuçiç ashtu edhe Thaçi dukeshin të gatshëm ta trajtonin këtë plan”.Ai ka theksuar se me ndryshimin e administratës amerikane, përgjegjësia për ndërmjetësim iu dorëzua BE-së.
“Marrëveshja vdiq. Në fund, Brukseli nuk arriti të merrte atë që i duhej: të dy palët të njihnin integritetin territorial të njëra-tjetrës. Konflikti tash mbetet i pazgjidhur. Një burim i mundshëm paqëndrueshmërie fshihet në oborrin e pasmë të BE-së, gjë që tregon se BE-ja ka mbetur në gjysmë të rrugës sa i përket politikës së jashtme, prandaj nuk po funksionon dhe duhet ta ndryshojë”.