Me rastin e festës së Vitit të Ri, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në urim thuhet se ky vit që po përfundon sonte, është periudha më e vështirë sociale, ekonomike e psikologjike për shtetin dhe qytetarët tonë, ngase pandemia bëri që vendi të izolohej dhe shumë njerëz të mbesin pa punë.
Urimi i plotë i Mustafës:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’iu uroj festën e Vitit të Ri 2021.
Viti që po e lëmë pas ishte një vit i rëndë për të gjithë ne, kohë krize e pandemisë globale Covid-19 e cila kaploi edhe Kosovën. Ky vit që po përfundon sonte, është periudha më e vështirë sociale, ekonomike e psikologjike për shtetin dhe qytetarët tonë, ngase pandemia bëri që vendi të izolohej dhe shumë njerëz të mbesin pa punë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, nën qeverisjen e saj nga qershori, është zotuar dhe ka qëndruar afër qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga ndikimi i koronavirusit, duke iu ndihmuar me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Si kryetar i LDK-së, do të mbes i përkushtuar që në vitin 2021, të jemi të bashkuar dhe unik, ngase vetëm kështu jemi më të fortë përballe sfidave që na presin.
Qytetarë të nderuar, viti 2021 do të jetë shumë sfidues, zgjedhjet që po vijnë duhet të na gjejnë të përkushtuar si elektorat i LDK-së në mënyrë që të dalim sa më të fuqishëm në këtë proces zgjedhor.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë përherë e angazhuar për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, pavarësisht pozicionit politik si pozitë apo si opozitë, misioni ynë historik është i qartë, zhvillimi dhe konsolidimi i vendit tonë.
Më dëshirën që viti 2021 të sjell dashuri, shëndet e harmoni në familjet tuaja, urime për shumë mote.
Gëzuar 2021!”