Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që pati sot në Kuvendin e Kosovës me deputetët që kanë mbetur pa grup parlamentar, pasi u shua Grupi 6+ e Adem Hoxha iu bashkua Listës Serbe, u ka thënë medieve se me ta bisedoi se si të bashkëpunohet në të ardhmen për të gjetur zgjidhjet adekuate.
Një prej temave aktuale për të cilën po flitet kohëve të fundit është posti i presidentit, të cilin e ushtron zonja Osmani, ndërkaq kryetari i LDK-së, Mustafa, u shpreh se ende nuk është diskutuar për këtë pozitë, porse javën e ardhshme do të takohen partitë politike për të diskutuar edhe për këtë temë.
“Nuk kemi biseduar për presidentin akoma. Por sipas neve çështja e presidentit duhet të zgjidhet sa më shpejt, jo të shkojmë në zgjedhje. Në fillim të dhjetorit do të mblidhemi me kryesinë për të biseduar për presidentin”, është shprehur z. Mustafa.
Kreu i LDK-së është i mendimit se duhet arritur konsensusi për të zgjedhur presidentin e vendit e jo të shkohet në zgjedhje të reja, ndërsa për kandidaturën e shpallur të AAK-së që Ramush Haradinaj të zgjidhet president i vendit, shtoi se nuk e di nëse kreu i AAK-së është tërhequr nga kandidatura për atë pozitë.